Senati italian miratoi sot në seancë plenare marrëveshjen dypalëshe për njohjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore mes Shqipërisë dhe Italisë. Gjatë kësaj seance të rëndësishme ishte i pranishëm edhe ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla.
Marrëveshja u nënshkrua më 6 shkurt 2024 në Romë nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, dhe ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani. Ky akt vjen pas një procesi negociatash që ka zgjatur rreth 15 vite dhe synon të sigurojë të drejtat e punonjësve shqiptarë në Itali dhe të punonjësve italianë në Shqipëri për pensionet dhe përfitimet e tjera të sigurimeve shoqërore.
Nga kjo marrëveshje do të përfitojnë rreth 550 mijë shtetas shqiptarë dhe rreth 4 mijë shtetas italianë, duke mundësuar bashkimin e periudhave kontributive në të dy vendet. Ky hap garanton që asnjë vit pune të mos humbasë dhe siguron të drejtat e plota të punëmarrësve që kanë kontribuar në skemat e sigurimeve shoqërore në të dy vendet.
Objekt i kësaj marrëveshjeje janë përfitimet nga skema shqiptare e detyrueshme e sigurimeve shoqërore, të cilat përfshijnë pensionet e pleqërisë, pensionet e invaliditetit dhe ato familjare. Gjithashtu, marrëveshja mbulon sigurimin për përfitimet në rast sëmundjeje dhe barrëlindjeje, si dhe sigurimin e papunësisë.
Shqipëria ka nënshkruar marrëveshje të ngjashme në fushën e sigurimeve shoqërore me disa vende të tjera, përfshirë Turqinë, Belgjikën, Hungarinë, Luksemburgun, Çekinë, Maqedoninë e Veriut, Gjermaninë, Austrinë, Bullgarinë, Kanadanë, Rumaninë, Kosovën, Konfederatën e Zvicrës dhe Kroacinë. Pritet gjithashtu të hyjnë në fuqi marrëveshjet me Malin e Zi dhe Bullgarinë, ndërsa janë në proces negociatat me Poloninë dhe Serbinë. Vende si Sllovenia, Spanja, Danimarka, Moldavia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë shprehur interes për të nisur negociatat për marrëveshje të ngjashme.
Qeveria shqiptare po punon gjithashtu për të siguruar dakordësinë e Francës për fillimin e negociatave, ndërsa është në diskutime për një marrëveshje të re edhe me Greqinë.
Ky zhvillim i rëndësishëm konsiderohet një hap pozitiv për garantimin e të drejtave të qytetarëve shqiptarë dhe italianë që kanë kontribuar në skemat e sigurimeve shoqërore në të dy vendet, duke i dhënë atyre siguri dhe stabilitet për të ardhmen.









