ZGJEDHJET E 11 MAJIT/ Si ndahet torta e koalicionit të PD për aleatët në 12 qarqet

Pak minuta para se të skadonte afati ligjor, Partia Demokratike dorëzoi në KQZ kërkesën për të regjistruar koalicionin me 25 parti të tjera të titulluar PD – Aleanca për Shqipërinë Madhështore.

Partia e Lirisë, Partia Republikane, PDIU, Agrarët dhe PBDNJ janë partitë kryesore aleate të demokratëve, me të cilët do të ndahen edhe 47 vendet e sigurta të listave në 12 qarqet.

Më shumë vende PD ka dhënë për Partinë e Lirisë, e cila mësohet të ketë marrë 4 vende në listat e qarqeve, Tiranë, Fier dhe Elbasan. Sipas të gjitha gjasave, përveç Ilir Metës, në listat e sigurta të PD do të futen edhe Tedi Blushi, Erisa Xhixho dhe Edmond Haxhinasto.

Nga një vend marrin 4 partitë e tjera, të shpërndara në qarqet, Durrës, Tiranë dhe Vlorë. Në kryeqytet pritet të jenë Mediu dhe Idrizi, ndërsa Dule mund të shkojë në listën e Vlorës dhe kandidati i propozuar nga Partia Agrare, do garojë në qarkun e Durrësit.

Përtej këtyre, në koalicionin e madh të PD, nuk mungojnë edhe disa parti të tjera të vogla që nuk kanë pasur mandate deputeti prej shumë zgjedhjesh, përveç rastit kur u futën në Parlament pasi PD dhe LSI lanë mandatet në 2019-ën.

Me futjen e 8 aleatëve në lista, por edhe me 18 vendet e paracaktuara për drejtuesit politik dhe lidershipin e PD, kufizohet shumë numri i atyre demokratëve që dolën të pëlqyer në procesin e primareve që u zhvilluan më 1 mars.