Kandidati kryesor pro-rus për zgjedhjet presidenciale në Rumani, Călin Georgescu, është ndaluar nga policia për t’u marrë në pyetje, në lidhje me votimin e diskutueshëm të anuluar në nëntorin e kaluar, të cilin ai e kishte fituar.
Călin Georgescu u soll në Prokurorinë e Përgjithshme këtë të mërkurë për t’u marrë në pyetje. Ai u ndalua nga policia pasi prokurorët morën një urdhër arresti për kandidatin kryesor pro-rus për zgjedhjet në Rumani.
Gjithashtu, mëngjesin e sotëm u kryen bastisje edhe ndaj njerëzve të Călin Georgescu, ku po hetohen një sërë krimesh, si fillimi ose krijimi i një organizate me karakter fashist, racist, ksenofobik, bashkimi ose mbështetja në çdo formë të një grupi të tillë.
Gjatë kontrolleve të së mërkurës, prokurorët sekuestruan mbi 1.5 milionë euro, një pjesë e të cilave u gjetën në kasafortat e Horațiu Potra.









