VIZITA NE TURQI/ Ministri i jashtëm rus do të vizitojë Ankaranë në lidhje me rolin e saj në bisedimet e paqes në Ukrainë

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov do të vizitojë nesër Turqinë për të diskutuar lidhur me bisedimet e fundit të Moskës me zyrtarët amerikanë dhe se si Ankaraja mund të kontribuojë në këtë proces, tha një burim i Ministrisë së Jashtme turke.

“Turqia, e cila priti negociatat fillestare midis Rusisë dhe Ukrainës pas pushtimit rus në 2022, është e gatshme të marrë këtë rol në të ardhmen e afërt”, tha burimi, duke folur në kushte anonimiteti.

Sipas të njëjtit burim, Lavrov dhe homologu i tij turk Hakan Fidan do të diskutojnë edhe armëpushimin në Gaza dhe situatën në Siri, ku Turqia do të theksojë nevojën për unitet territorial në Siri dhe dëbimin e terroristëve.

Të dy palët do të diskutojnë hapat drejt “një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme përmes proceseve diplomatike në Ukrainë dhe kontakteve të fundit midis SHBA-së dhe Rusisë”, si dhe kontributin që Turqia mund të japë në proces, tha burimi i Ministrisë së Jashtme turke.