EMIGRACIONI I PALIGJSHEM/ Dëbimi i emigrantëve nga SHBA, Trump deporton 37,660 persona në muajin e parë si President! Reuters: Numri mund të rritet

Presidenti Donald Trump, me masat e ndërmarra kundër emigrimit të paligjshëm në SHBA, ka depërtuar 37,660 persona gjatë muajit të tij të parë në detyrë, sipas dhënave të papublikuara më parë të Departamentit të Sigurisë Kombëtare të SHBA.

Siç shkruan Reuters, kjo shifër është shumë më pak se mesatarja mujore prej 57,000 largimesh dhe kthimesh në vitin e fundit të administratës së Joe Biden.

Një zyrtar i lartë i administratës Trump dhe ekspertë, thanë se dëbimet do të rriteshin në muajt e ardhshëm.

Zëdhënësja e Departamentit të Sigurisë Kombëtare, Tricia McLaughlin, tha se numrat e dëbimeve të epokës Biden dukeshin “artificialisht të larta” për shkak të niveleve më të larta të imigracionit të paligjshëm.

Trump bëri fushatë duke premtuar se do të dëbonte miliona emigrantë të paligjshëm në operacionin më të madh të dëbimit në historinë e SHBA.

Përpjekjet për dëbim mund të fillojnë brenda disa muajsh, të ndihmuar nga marrëveshjet nga Guatemala, El Salvador, Panama dhe Kosta Rika, për të marrë të dëbuar nga kombe të tjera, thanë burimet.

Ushtria amerikane ndihmoi në dhjetëra fluturime deportimi ushtarak në Guatemalë, Honduras, Panama, Ekuador, Peru dhe Indi. Administrata Trump ka dërguar gjithashtu emigrantë venezuelianë në bazën detare amerikane në Gjirin e Guantanamos.

Trump tha në fund të janarit se administrata e tij po përgatitej të ndalonte deri në 30,000 emigrantë atje, pavarësisht kundërshtimit nga grupet e të drejtave civile.

“Dëbimet e asistuara nga ushtria mund të rriten duke marrë parasysh buxhetin e madh të Pentagonit dhe aftësinë për të rritur burimet”, tha Adam Isacson, një ekspert sigurie në Institutin e Uashingtonit për Amerikën Latine.

“Gjatë tre javëve të para të Trump në detyrë, Forcat e Emigracionit dhe Doganave të SHBA arrestuan rreth 14,000 njerëz”, tha kreu kufitar Tom Homan javën e kaluar. Kjo llogaritet në 667 persona në ditë, dyfishi i mesatares së vitit të kaluar, shkruan Reuters.

Arrestimet u rritën në rreth 800-1200 në ditë gjatë javës së parë të Trump në detyrë, më pas ranë pasi qendrat e paraburgimit u mbushën dhe oficerët u shtuan.

Ndërsa arrestimet janë rritur, hapësira e paraburgimit mbetet një faktor kufizues. Agjencia aktualisht mban rreth 41,100 të burgosur, me financim për të mbajtur 41,500.

Rreth 19,000 nga ata u arrestuan nga autoriteti përkatës, ICE, ndërsa rreth 22,000 u kapën nga autoritetet kufitare të SHBA, sipas të dhënave të agjencisë të publikuara në mes të shkurtit.

Nga 19,000 të arrestuar nga ICE, rreth 2,800 nuk kishin precedentë penalë, sipas të dhënave të së njëjtës agjenci. Shifra ishte rritur nga 858 në mes të janarit, përpara se Trump të merrte detyrën.

Senati amerikan i udhëhequr nga republikanët miratoi një projekt-ligj për të siguruar 340 miliardë dollarë gjatë katër viteve për sigurinë kufitare, dëbimet dhe shpenzimet shtesë ushtarake. Por, partia mbetet e ndarë se si të ecë përpara me planin e financimit, pasi Trump bën presion që financimi të kombinohet me uljen e taksave.