STRATEGJIA KUNDER KRIMIT ZGJEDHOR/ SPAK: Verifikim i keqpërdorimit të buxhetit, monitorim edhe i rrjeteve sociale

Prokuroria e Posaçme publikon “Strategjinë e Hetimit dhe Parandalimit të Krimit Zgjedhor: Zgjedhjet për Kuvendin 2025”, e cila mbështetet në: Verifikimin në terren të indicieve apo fakteve rreth kryerjes së veprave penale në kuadër të zgjedhjeve për Kuvendin 2025, nën juridiksionin e Prokurorisë së Posaçme.

Verifikimin e raportimeve që ngrenë dyshime të arsyeshme mbi keqpërdorimin e buxhetit dhe investimeve publike gjatë periudhës zgjedhore prej subjekteve të posaçme.

Monitorimin e mediave dhe rrjeteve sociale për indicie të mundshme në kryerjen e veprave penale në kuadër të zgjedhjeve.

Bashkëpunimin ndërinstitucional me Prokurorinë e Përgjithshme, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Policinë e Shtetit, organizmat ndërkombëtare, organizatat e shoqërisë civile që monitorojnë proceset zgjedhore, etj.

Masat kryesore të strategjisë:

SPAK ka përcaktuar disa drejtime kryesore për të parandaluar dhe ndëshkuar krimet zgjedhore:

  • Verifikimi në terren i indicieve dhe denoncimeve për manipulime zgjedhore, keqpërdorim të burimeve shtetërore ose presion ndaj votuesve.
  • Monitorimi i financave publike, për të identifikuar keqpërdorimin e buxhetit shtetëror dhe investimeve gjatë fushatës elektorale.
  •  Vëzhgimi i mediave dhe rrjeteve sociale për të evidentuar prova të mundshme për veprime të paligjshme.
  •  Bashkëpunimi me institucionet vendase dhe ndërkombëtare, përfshirë Prokurorinë e Përgjithshme, KQZ-në, Policinë e Shtetit dhe organizatat e shoqërisë civile.

Grupi Hetimor dhe fazat e procesit

Për zbatimin e kësaj strategjie, SPAK ka ngritur një Grup Hetimor të Posaçëm (Task-Force), i ndarë në:

  • Strukturën Qendrore, e cila koordinon punën hetimore në nivel kombëtar.
  • Grupet Hetimore në Terren, që do të operojnë në 12 qarqe dhe 61 bashki, duke kryer verifikime të denoncimeve dhe hetime të detajuara.

Faza e vëzhgimit (mars-maj 2025) do të përfshijë hetime intensive mbi përdorimin e burimeve shtetërore në zgjedhje dhe verifikimin e akuzave për presion ndaj votuesve.

Ku mund të denoncohen në SPAK krimet zgjedhore:

Për të inkurajuar qytetarët dhe institucionet që të raportojnë shkeljet, SPAK do të krijojë:

  • Numër emergjent për denoncime direkte.
  • Platformë online për raportime anonime dhe ngarkim të provave.
  • Adresë e-mail të dedikuar për pranimin e informacioneve mbi krimet zgjedhore.

Një grup i posaçëm do të monitorojë gjithashtu të dhënat e publikuara në media dhe rrjete sociale për të evidentuar çdo dyshim për manipulim zgjedhor.