CHAMPIONS LEAGUE/ Milan-i dhe Atalanta synojnë përmbysjen, Bayern-i e ka formalitet kualifikimin

Kjo e martë rezervon katër përballje në Ligën e Kampioneve. Tetë skuadra do të zbresin në fushë për sfidat e kthimit në fazën “play off”.

Milan-i pret në shtëpi Feyenoord-in, në një përballje që pritet të jetë shumë e luftuar. Holandezët fituan minimalisht në takimin e parë dhe në “San Siro” i pret një duel i vështirë.

Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

Milan-i e ka detyrim fitoren dhe përmbysjen, për të avancuar në fazën tjetër. Fitorja në kampionat ndaj Verona-s, ka rikthyer entuziazmin në kampin kuqezi.

Një eliminim që në këtë fazë do të përkeqësonte gjithçka tek italianët, të cilët këtë sezon kanë pasur ulje-ngritje të shumta. Milan-i ishte pranë kalimit më tej mes tetët të parave, por humbja me Dinamo Zagreb përkeqësoi gjithçka. Një kualifikim në fazën tjetër vlen 11 milionë euro dhe te kuqezinjtë kanë marrë ultimatumin.

Bayern Munich e ka formalitet kualifikimin. Gjermanët presin në shtëpi skocezët e Sëlltik, pas fitores 2-1 në takimin e parë.

Në stadiumin “Allianz Arena” pritet një sfidë e lehtë në letër për vendasit, por nuk përjashtohen surprizat.

Përmbysjen do e kërkojë edhe Atalanta. Italianët u mposhtën nëndeshjen e parë nga Club Brugge me rezultatin 2-1, në njëpërballje që prodhoi polemika të mëdha.

Skuadra bergamaske synon hakmarrjen në shtëpi, për të siguruar biletën e kualifikimit. Në krahun tjetër, Club Brugge ka treguar se mund t’u hapë probleme ekipeve të mëdha dhe të njëjtën gjë do të kërkojë të bëjë edhe këtë herë.

Sfida tjetër është ajo mes Benfica-s dhe Monaco-s. Portugezët fituan ndeshjen e parë minimalisht dhe duken favoritë për të avancuar më tej.

Megjithatë francezët nuk e kanë thënë ende fjalën e fundit, prandaj duan përmbysjen, një mision që duket shumë i vështirë në transfertë.