Drejt përplasjes tregtare – BE paralajmëron SHBA: Të gjitha opsionet në tryezë pas kërcënimeve me tarifa

Bashkimi Evropian ka rritur tonet ndaj Shteteve të Bashkuara, duke paralajmëruar se të gjitha masat janë në konsideratë në rast se Uashingtoni vendos tarifa të reja ndaj produkteve evropiane.

Zëdhënësi i Komisioni Evropian, Thomas Regnier, deklaroi në një konferencë për media se Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar ndaj një marrëdhënieje të qëndrueshme dhe të parashikueshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por paralajmëroi se interesat evropiane do të mbrohen me çdo mjet të nevojshëm.

Ai theksoi se BE po zbaton marrëveshjen tregtare të përbashkët me SHBA-në dhe është në koordinim të vazhdueshëm me institucionet amerikane, por shtoi se çdo shkelje e saj do të sjellë reagim të fortë nga Brukseli.

“Ne mbetemi plotësisht të përkushtuar ndaj një marrëdhënieje transatlantike të qëndrueshme dhe të dobishme për të dyja palët, por nëse SHBA ndërmerr masa që nuk përputhen me marrëveshjen, ne do të mbajmë të gjitha opsionet të hapura për të mbrojtur interesat tona”, u shpreh Regnier.

Megjithatë, ai nuk dha detaje mbi kundërmasat e mundshme, duke theksuar se Komisioni Evropian nuk do të komentojë mbi skenarë hipotetikë apo masa që ende nuk janë konkretizuar.

“Ne kemi parë edhe më parë kërcënime të tilla. Qëndrimi ynë është i qartë: jemi të qetë dhe të fokusuar në zbatimin e marrëveshjes në interes të qytetarëve dhe kompanive tona në të dy anët e Atlantikut”, shtoi ai.

Tensionet janë rritur pasi Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar masa të reja tarifore, duke pretenduar se BE nuk ka përmbushur plotësisht angazhimet e saj në marrëveshjen ekzistuese tregtare. Kjo marrëveshje parashikon tarifa 15 për qind për një pjesë të madhe të eksporteve evropiane drejt SHBA-së, përfshirë automjetet dhe pjesët e tyre, ndërsa BE ishte zotuar të zgjeronte aksesin në treg për mallrat industriale amerikane.

Situata mbetet e tensionuar dhe pritet të ndikojë në marrëdhëniet ekonomike mes dy aleatëve kryesorë transatlantikë.