Tragjedi në Pensilvani – Shpërthimi i fuqishëm i merr jetën nënës me 6 fëmijë – Banesa e shkatërruar plotësisht

Një ngjarje e rëndë ka tronditur shtetin amerikan të Pensilvanisë, ku një shpërthim i fuqishëm i ndjekur nga një zjarr masiv ka shkatërruar një banesë dhe ka marrë jetën e shtatë personave të një familjeje.

Sipas autoriteteve lokale, viktimat janë një nënë 34-vjeçare dhe gjashtë fëmijët e saj, të moshës nga tre deri në 11 vjeç. Tragjedia ka ndodhur në zonën Lamar Township, në qarkun Clinton, pranë Mill Hall.

Zjarrfikësit u thirrën në vendngjarje në orët e mëngjesit pas raportimeve për një shpërthim të fortë dhe zjarr që kishte përfshirë shtëpinë. Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë, ndërtesa u përfshi plotësisht nga flakët, duke e bërë të pamundur shpëtimin e banorëve që ndodheshin brenda.

Viktimat janë identifikuar si Sarah Stolzfus, 34 vjeçe, së bashku me katër djemtë e saj, të moshës 11, 10, 5 dhe 3 vjeç, si dhe dy vajza të moshës 8 dhe 6 vjeç.

Hetimet paraprake sugjerojnë se shkaku i mundshëm i shpërthimit mund të ketë qenë një rrjedhje gazi propan brenda banesës, por autoritetet ende po punojnë për të përcaktuar me saktësi rrethanat e ngjarjes.

Një fqinjë e familjes ka treguar se ka dëgjuar një shpërthim të fortë në momentin e ngjarjes dhe ka parë menjëherë flakët që përfshinin shtëpinë, e cila brenda pak minutash u shkatërrua plotësisht.

Familja ishte zhvendosur në atë banesë vetëm disa muaj më parë, ndërsa banorët e zonës e përshkruajnë ngjarjen si një tragjedi të papërshkrueshme që ka tronditur komunitetin lokal.