Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë sekuestruar një anije të lidhur me Iranin në ujërat ndërkombëtare, në një moment delikat kur afati i armëpushimit mes dy vendeve po shkon drejt përfundimit.
Sipas ushtrisë amerikane, tankeri është ndaluar pa incidente, si pjesë e operacioneve për zbatimin e sanksioneve dhe ndërprerjen e rrjeteve të paligjshme që mbështesin aktivitetet iraniane.
Anija, e cila mund të transportojë deri në 2 milionë fuçi naftë, ishte raportuar pranë Sri Lankës në Oqeanin Indian dhe kishte si destinacion Singapori.
Komanda Qendrore e SHBA (CENTCOM) deklaroi se operacione të tilla do të vazhdojnë për të ndaluar çdo aktivitet që bie ndesh me sanksionet ndërkombëtare ndaj Iranit.
Ndërkohë, presidenti Donald Trump akuzoi Iranin për shkelje të shumta të armëpushimit, pa dhënë detaje konkrete.
Nga ana tjetër, Teherani nuk ka reaguar menjëherë për incidentin, por më herët ka paralajmëruar se bllokada detare nga SHBA përbën shkelje të marrëveshjes dhe mund të pengojë vijimin e negociatave.
Situata mbetet e tensionuar, ndërsa bisedimet e mundshme për paqe pritet të zhvillohen në Islamabad, por zhvillimet e fundit mund të komplikojnë procesin diplomatik.









