Milan rikthehet te fitorja – vendos goli i Adrien Rabiot

Milan është rikthyer te suksesi në Serie A, duke marrë një fitore minimale 0-1 në transfertë ndaj Hellas Verona, në kuadër të javës së 33-të.

Ndeshja u vendos në fundin e pjesës së parë, kur në minutën e 41-të Adrien Rabiot përfitoi nga një asist i Rafael Leão dhe dërgoi topin në rrjetë me një goditje të saktë në këndin e poshtëm, duke i dhënë epërsinë vendimtare kuqezinjve.

Vendasit reaguan në disa momente, por u ndalën nga portieri Mike Maignan, i cili bëri një pritje të rëndësishme ndaj Belghalit në fundin e pjesës së parë. Ndërkohë, tentativa e Vermesanit në pjesën e dytë kaloi shumë pranë shtyllës.

Në minutën e 75-të, AC Milan mendoi se e mbylli ndeshjen me golin e Matteo Gabbia, por realizimi u anulua pas rishikimit në VAR.

Në fund, Hellas Verona pati një shans të artë me Gift Orban, por sulmuesi nuk arriti të shënojë me kokë. Milani administroi mirë avantazhin dhe e mbylli sfidën pa pësuar gol.

Me këtë fitore, Milan ruan vendin e dytë në renditje dhe vazhdon të mbajë ritmin në garën e këtij sezoni në Serie A.