Trump bën deklaratën e pazakontë: “Irani më propozoi të bëhesha lider suprem, por refuzova”

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka bërë një deklaratë surprizuese, duke pretenduar se Irani i kishte sugjeruar në mënyrë jozyrtare të merrte drejtimin si lider suprem i Republikës Islamike.

Gjatë një aktiviteti për mbledhje fondesh të Partia Republikane, Trump tha se e kishte refuzuar menjëherë këtë ide.

“Ne do të donim t’ju bënim udhëheqësin e ardhshëm suprem. Jo, faleminderit. Nuk e dua,” u shpreh ai.

Ai shtoi gjithashtu se SHBA është në diskutime me Iranin për t’i dhënë fund konfliktit, pavarësisht se Teherani ka mohuar publikisht çdo negociatë.

Nga ana tjetër, autoritetet iraniane kanë hedhur poshtë këto pretendime, duke këmbëngulur se nuk ka bisedime në zhvillim për përfundimin e luftës.

Deklaratat e Trump vijnë në një moment tensioni të lartë në rajon, si dhe pas zhvillimeve të fundit në udhëheqjen iraniane, ku pas vrasjes së Ali Khamenei, vendin e tij e ka marrë Mojtaba Khamenei, për të cilin ka raportime se mund të jetë plagosur gjatë sulmeve të fundit.

Ndërkohë, Trump ka theksuar se Irani është i interesuar për një armëpushim, por heziton ta pranojë për shkak të pasojave të mundshme të brendshme politike.