Posta Shqiptare është vënë në shënjestër të një sulmi kibernetik të dyshuar nga hakerë iranianë, ndërsa autoritetet shqiptare po punojnë për të analizuar situatën.
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, del “garant” se aktualisht nuk ka ndërprerje të shërbimeve dhe se qytetarët mund t’i përdorin normalisht ato.
Sipas tij, ekspertët e AKSHI dhe specialistët e Postës janë duke kryer një analizë të detajuar për të kuptuar plotësisht natyrën dhe pasojat e sulmit.
Demo theksoi se deri tani nuk ka indicie për dëmtime serioze apo për të dhëna të bllokuara, ndërsa siguroi se institucionet përgjegjëse kanë kapacitetet e nevojshme për të garantuar integritetin dhe sigurinë e sistemeve.
Hetimet vijojnë për të zbardhur të gjitha detajet e incidentit dhe për të përcaktuar shkallën reale të ndikimit të këtij sulmi,- siguroi ministri.









