SHBA vendos afatin 9 prill për fundin e luftës me Iranin – Benjamin Netanyahu: Do mbrojmë interesat tona me çdo kusht

Shtetet e Bashkuara synojnë që konflikti me Iranin të përmbyllet deri më 9 prill, duke lënë në dispozicion disa javë për vijimin paralel të operacioneve ushtarake dhe përpjekjeve diplomatike.

Sipas raportimeve nga media izraelite Ynet, një zyrtar ka bërë të ditur se bisedimet mes Uashingtonit dhe Teheranit pritet të zhvillohen gjatë kësaj jave në Pakistan, në përpjekje për të arritur një zgjidhje të mundshme.

Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu kanë zhvilluar një bisedë telefonike, ku kanë diskutuar mbi ecurinë e konfliktit dhe objektivat strategjikë.

Në një videomesazh të publikuar në rrjetet sociale, Netanyahu u shpreh se ekziston mundësia për të shfrytëzuar sukseset ushtarake të arritura nga Izraeli dhe SHBA për të përmbushur synimet e vendosura, duke theksuar se marrëveshja synon mbrojtjen e interesave jetike të vendit të tij.

Ai shtoi se operacionet ushtarake po vijojnë jo vetëm ndaj Iranit, por edhe në Liban, me objektiv goditjen e programeve raketore dhe bërthamore, si dhe dobësimin e Hezbollah.

Sipas Netanyahut, Izraeli mbetet i vendosur të veprojë në çdo rrethanë për të garantuar sigurinë dhe interesat e tij kombëtare.