Reforma zgjedhore ka hapur diskutime më të gjera politike, duke çuar në tryezë edhe mundësinë e ndryshimeve në Kushtetutë. Pas dakordësisë për financimin e partive, përfaqësues të opozitës kanë shtuar kërkesat për rishikim të sistemit elektoral.
Përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, e cilësoi sistemin aktual si të dëmshëm për pluralizmin dhe demokracinë, duke kërkuar ndryshimin e tij dhe rikthimin e koalicioneve parazgjedhore.
Nga ana tjetër, socialistët janë shprehur të hapur për një marrëveshje më të gjerë politike, por e lidhin këtë me nevojën për ndryshime më të thella kushtetuese, përfshirë edhe reduktimin e numrit të deputetëve.
Përfaqësuesi socialist, Damian Gjiknuri, theksoi se komisioni aktual nuk ka mandat për të ndryshuar Kushtetutën, por shtoi se një gjë e tillë mund të ndodhë vetëm përmes një konsensusi të gjerë politik.
Megjithatë, demokratët kanë shprehur rezerva ndaj kësaj ideje, duke kundërshtuar veçanërisht uljen e numrit të mandateve, që sipas tyre do të dëmtonte partitë e vogla dhe përfaqësimin politik.
Pavarësisht sinjaleve për dialog, qëndrimet mes palëve mbeten të largëta, duke e bërë ende të paqartë nëse do të arrihet një marrëveshje për ndryshime kushtetuese në vijim.









