Netanyahu tallet me lajmet për vdekjen e tij: “Jam i vdekur… vetëm për kafe”

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka reaguar me humor ndaj thashethemeve që qarkulluan në rrjetet sociale se ai ishte vrarë në një sulm iranian.

Në një video të publikuar në platformën X, Netanyahu shfaqet duke porositur një kafe dhe duke bërë shaka me lajmet për vdekjen e tij. “Jam i vdekur… për kafe. E dua vendin tim deri në vdekje dhe mënyrën se si sillet”, dëgjohet të thotë ai.

Sipas raportimit të The Times of Israel, Netanyahu në video ngriti të dyja duart për të treguar se ka dhjetë gishta, duke ironizuar edhe pretendimet se intervista e tij televizive e disa ditëve më parë ishte krijuar me inteligjencë artificiale.

Gjatë mesazhit të tij, kryeministri u bëri thirrje qytetarëve izraelitë të dalin për pak ajër të pastër, por të qëndrojnë pranë strehimeve për siguri. Ai shtoi gjithashtu se qeveria do të përpiqet të lehtësojë sa më shumë kufizimet ndaj aktiviteteve.

Më herët, zyra e kryeministrit kishte mohuar zyrtarisht pretendimet që qarkullonin në rrjetet sociale për vrasjen e tij, duke i cilësuar ato si lajme të rreme dhe duke theksuar se Netanyahu është në gjendje të mirë.