Izraeli në ofensivë të plotë – ka drojë se SHBA mund të ndalë luftën me Iranin

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka urdhëruar një ofensivë intensive ndaj objektivave strategjike në Iran, mes frikës se SHBA mund të ndërpresë papritur konfliktin.

Sipas raportimit të The New York Times, duke cituar burime të larta izraelite, Netanyahu ka kërkuar që ushtria të godasë sa më shumë objektiva me prioritet të lartë brenda 48 orëve, veçanërisht në industrinë e armëve iraniane.

Ky vendim lidhet me shqetësimin se presidenti amerikan Donald Trump mund të imponojë një marrëveshje të shpejtë paqeje me Teheranin, përmes planit të tij me 15 pika.

Megjithatë, sipas burimeve izraelite, ky plan nuk garanton eliminimin e plotë të kërcënimit bërthamor dhe raketor të Iranit. Për këtë arsye, Izraeli preferon që negociatat të zhvillohen paralelisht me vazhdimin e sulmeve ushtarake.

Media izraelite raportojnë se skenari i një marrëveshjeje të shpejtë po shqetëson seriozisht lidershipin e vendit, i cili druhet se një përfundim i nxituar i konfliktit mund t’i japë avantazh Iranit pa u arritur objektivat strategjikë.