Pas një muaji të gjatë agjërimi, përkushtimi dhe sakrifice gjatë Ramazani, besimtarët myslimanë në Shqipëri dhe në mbarë botën festojnë sot Fitër Bajrami.
Në Tiranë, mijëra besimtarë u mblodhën në Sheshi Skënderbej, ku kryen faljen e Namazit të Bajramit në një atmosferë besimi dhe bashkimi.
Gjatë ceremonisë, kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu, përcolli një mesazh urimi dhe reflektimi, duke theksuar rëndësinë e paqes dhe solidaritetit në një botë të trazuar nga konfliktet.
Në fjalën e tij, Spahiu u ndal te vuajtjet që sjellin luftërat dhe padrejtësitë, duke kujtuar familjet që nuk e përjetojnë dot gëzimin e kësaj dite për shkak të humbjeve dhe pasigurisë. Ai bëri thirrje për lutje dhe mbështetje për të gjithë ata që jetojnë në zona konflikti, veçanërisht për fëmijët dhe familjet e prekura nga lufta.
Fitër Bajrami shënon përfundimin e muajit të shenjtë të Ramazanit dhe është një festë që simbolizon mëshirën, faljen dhe solidaritetin. Tradicionalisht, besimtarët japin lëmoshë për të varfrit, në mënyrë që të gjithë të mund ta festojnë këtë ditë me dinjitet dhe gëzim.
bignews.al uron të gjithë besimtarët myslimanë gëzuar Fiter Bajramin.









