Berisha “harron” SKAPIN e partisë – Sulmon Ramën pse refuzoi SPAK për Ballukun: “Mbylli dyert e BE-së për Shqipërinë”

Sali Berisha, akuzoi sot kryeministrin Edi Rama se me vendimin e marrë në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS-së për të rrëzuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, po sfidon ligjin dhe qytetarët shqiptarë.

Në një deklaratë nga selia blu, Berisha e quajti këtë veprim “sulm të drejtpërdrejtë ndaj qytetarëve dhe dinjitetit të tyre”, duke e akuzuar Ramën si “narkodiktator” që përdor mandatet e shumicës për të imponuar interesat e tij dhe të partisë mbi ligjin.

Ai paralajmëroi gjithashtu se vendimi i Ramës ka pasoja të menjëhershme për integrimin europian të Shqipërisë, duke deklaruar se kryeministri “mbylli dyert e Bashkimit Europian për vendin” për shkak të këtij vendimi.

Berisha ndryshe nga kur e quante SKAP të partisë, theksoi se SPAK po përfaqëson interesat e qytetarëve dhe drejtësinë, ndërsa refuzimi i autoritetit të prokurorisë për të ndjekur penalisht Ballukun është një goditje ndaj ligjit dhe procesit të integrimit europian.