Mediat izraelite po raportojnë se Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ali Khamenei, mund të ketë humbur jetën pas sulmeve të fundit, ndërsa kontaktet me të janë ndërprerë për disa orë.
Sipas raportimeve të publikuara nga Walla!, askush nuk ka arritur të komunikojë me Khamenein që prej goditjes së kompleksit të tij rezidencial në Teheran. Fati i tij mbetet i paqartë.
Edhe media të tjera izraelite, përfshirë N12 dhe Channel 1, cituan një zyrtar të lartë në Tel Aviv të ketë deklaruar se do të ishte “befasuese” nëse Khamenei do të shfaqej publikisht, duke shtuar se sipas vlerësimeve paraprake ai “mund të mos jetë më gjallë”, ndonëse pritet konfirmim zyrtar.
Një tjetër burim izraelit u shpreh se lideri suprem “ka shumë të ngjarë të mos i ketë mbijetuar sulmit”. Më herët, N12 kishte raportuar se ai mund të jetë të paktën i plagosur, por deri tani nuk ka një deklaratë zyrtare nga autoritetet iraniane për gjendjen e tij.
Ndërkohë, sipas raportimit të Reuters, dy zyrtarë të lartë iranianë – ministri i Mbrojtjes Amir Nasirzadeh dhe komandanti i Gardës Revolucionare Mohammed Pakpour – dyshohet se janë vrarë gjatë sulmeve. Situata mbetet e paqartë dhe informacionet janë ende në zhvillim.









