Zëvendëspresidenti i Shtetet e Bashkuara të Amerikës, JD Vance, deklaroi se një sulm i mundshëm ushtarak ndaj Iran nuk do të çonte në një konflikt të zgjatur në Lindjen e Mesme.
Në një intervistë për Washington Post, Vance iu përgjigj kritikëve dhe analistëve ushtarakë që paralajmërojnë destabilitet në rajon, duke theksuar se ideja e një lufte shumëvjeçare “nuk ka asnjë shans të ndodhë”. Sipas tij, opsionet variojnë nga veprime të kufizuara ushtarake për të penguar Iranin të pajiset me armë bërthamore, deri te një zgjidhje diplomatike.
Ai shtoi se nuk e di ende se çfarë vendimi do të marrë presidenti Donald Trump lidhur me Iranin, por përmendi si shembuj sulmet e kufizuara të SHBA-së ndaj objekteve bërthamore iraniane vitin e kaluar dhe operacionin ushtarak në Venezuelë.
Deklaratat e Vance vijnë pas një raundi negociatash mes SHBA-së dhe Iranit të mbajtur në Gjenevë, nën ndërmjetësimin e Omanit. Ministri i Jashtëm i Omanit bëri të ditur se është arritur përparim dhe se raundi i ardhshëm i bisedimeve do të zhvillohet në Vjenë javën e ardhshme.
Ndërkohë, Irani kërkon që negociatat të fokusohen vetëm në programin bërthamor, duke përjashtuar çështjen e raketave balistike, ndërsa Uashingtoni këmbëngul se kjo temë nuk mund të shmanget









