Netanyahu shprehet për ndryshim regjimi në Teheran: Irani nuk duhet të ketë kurrë armë bërthamore

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka bërë thirrje të drejtpërdrejtë për ndryshim regjimi në Iran, në deklaratën e tij të parë me video pas sulmeve të koordinuara amerikano-izraelite ndaj objektivave në Teheran.

Netanyahu iu drejtua “të gjitha pjesëve të popullit iranian”, duke i ftuar “të hedhin poshtë zgjedhën e tiranisë” dhe të ndërtojnë “një Iran të lirë dhe paqësor”. Sipas tij, veprimet ushtarake të ndërmarra do të krijojnë kushtet që populli iranian “të marrë fatin e tij në duart e veta”.

Ai falënderoi Presidentin amerikan Donald Trump për atë që e quajti “lidership historik” në operacionet e fundit, duke theksuar se bashkëpunimi mes dy vendeve synon të neutralizojë kërcënimin iranian.

“Ky regjim terrorist vrasës nuk duhet të lejohet të pajiset me armë bërthamore që do ta bënin të kërcënonte të gjithë njerëzimin”, deklaroi Netanyahu.

Kjo nuk është hera e parë që lideri izraelit i bën thirrje popullit iranian për t’u ngritur kundër autoriteteve në Teheran. Një apel i ngjashëm u artikulua edhe gjatë përballjes 12-ditore mes dy vendeve në qershor, ndërsa tensionet aktuale rrezikojnë të thellojnë më tej krizën rajonale.