Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka mbajtur qëndrim të qartë lidhur me debatin për provimin e jurisprudencës, duke deklaruar se studentëve duhet t’u lejohet ta japin atë edhe në gjuhën shqipe, nëse paraqesin kërkesë.
“Ligji për gjuhët është i qartë në këtë rast. Nëse dikush kërkon dhënien e provimit në shqip, duhet t’i lejohet,” u shpreh Mickoski.
Deklarata vjen në kohën kur studentët shqiptarë të juridikut po kërkojnë të drejtën për ta dhënë provimin në gjuhën e tyre amtare. Nga ana tjetër, Ministria e Drejtësisë ka shprehur rezerva, duke argumentuar se maqedonishtja është gjuha kryesore zyrtare në procedurat juridike dhe njohja e saj është e domosdoshme.
Çështja ka hapur debat mbi zbatimin praktik të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve dhe balancën mes të drejtave gjuhësore dhe kërkesave profesionale në sistemin juridik.









