Juglindja mbetet e izoluar – Rruga alternative nuk zgjat as një ditë – Segmenti në Librazhd shembet përsëri

Segmenti problematik në zonën e Arrat e Gurrës, në fshatin Dragostunjë të Librazhdit, është shembur sërish, vetëm pak orë para se të hapej për qarkullim provizor.

Sipas një njoftimi zyrtar të Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, rruga dytësore e hapur si by-pass për kalim të përkohshëm ka pësuar fundosje dhe rrëshqitje toke, duke dëmtuar punimet dhe duke e bërë segmentin plotësisht të pakalueshëm.

“Për arsye sigurie janë tërhequr mjetet e firmës zbatuese dhe është ndaluar qarkullimi i mjeteve dhe këmbësorëve”, thuhet në njoftim.

Autoritetet paralajmërojnë se do të kryhet një rivlerësim urgjent gjeologjik dhe teknik, pasi terreni paraqitet i paqëndrueshëm dhe mjaft sfidues për ndërhyrje.

Vetëm një ditë më parë, kreu i Autoriteti Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, kishte deklaruar se rruga do të hapej në mesditën e së hënës. Zhvillimi i fundit e shtyn sërish afatin dhe rikthen pasigurinë për banorët dhe drejtuesit e mjeteve që përdorin këtë aks.

Situata në zonë mbetet dinamike, ndërsa strukturat shtetërore pritet të përcaktojnë hapat e radhës pas vlerësimit teknik.