Fevziu “braktis” Berishën: Të tërhiqet nga gara! Opozita të pajtohet me SPAK

Gazetari Blendi Fevziu deklaroi se Sali Berisha nuk duhet të rikandidojë për kryetar të Partia Demokratike e Shqipërisë, por të mbetet në rol simbolik si kryetar nderi, ndërsa partia duhet të zgjedhë një figurë të re për drejtimin politik dhe kandidat për kryeministër në përballjen e zgjedhjeve të rradhës.

I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, Fevziu u shpreh skeptik për bashkimin e opozitës dhe theksoi se ajo duhet të rindërtojë marrëdhëniet me ndërkombëtarët dhe të konsolidojë raportin me SPAK, pavarësisht kritikave ndaj drejtësisë.

Sipas tij, grupi parlamentar i dalë nga zgjedhjet e 11 majit nuk përfaqëson realisht shoqërinë shqiptare dhe problemet e opozitës janë pasojë e një zinxhiri gabimesh politike. Ai shtoi se largimi i menjëhershëm i Berishës nuk do ta zgjidhte krizën, por partia duhet të nxjerrë një kandidat të ri për kryeministër.

Fevziu komentoi edhe nismën e Ermal Hasimes për bashkimin e opozitës, duke e cilësuar pozitive në ide, por të papjekur në praktikë, pasi – sipas tij – ende shihet si një çështje personale dhe jo strategji politike.