VIDEO-LAJM/ Deputetes i shpërthen eksplozivi gjatë deklaratës për mediat – panik dhe plagosje serioze në Honduras

Një moment i tmerrshëm u regjistrua në kryeqytetin e Hondurasit, Tegucigalpa, kur Gladys Aurora López, deputete e Partisë Kombëtare, u plagos rëndë nga një pajisje shpërthyese që shpërtheu vetëm disa centimetra larg kokës së saj.

Ngjarja ndodhi të enjten gjatë një interviste për mediat, ndërsa López po fliste qetësisht para kamerave. Papritmas, një objekt rrethor u hodh drejt saj, duke goditur pjesën e pasme të qafës dhe shkaktuar shpërthim. Incidenti krijoi panik të madh në turmë dhe plagosi edhe disa persona të tjerë që ndodheshin pranë.

Deputetja mbijetoi, por pësoi dëmtime serioze, duke përfshirë djegie dhe dëmtime të dëgjimit. Shumë nga të pranishmit morën plagë të lehta. Ngjarja ndodhi në një kohë të tensionuar politikisht, pas rinumërimit të kontestuar të votave, pas fitore së ngushtë të Nasry Asfura në presidencialet e nëntorit.

Presidenti i Kongresit, Luis Redondo, urdhëroi menjëherë një hetim dhe kërkoi shqyrtimin e kamerave të sigurisë dhe regjistrimeve të 911 për të identifikuar autorin. Ndërkohë, presidenti i zgjedhur Asfura bëri thirrje për qetësi, duke theksuar se “kjo nuk duhet të ndodhë, pavarësisht motivit”.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Kombëtare, Tomás Zambrano, e përshkroi sulmin si një akt dhune të papranueshëm dhe akuzoi partinë në pushtet për krijimin e një klime armiqësore ndaj opozitës. Ai bëri thirrje që Forcat e Armatosura dhe Policia Kombëtare të mbrojnë ligjvënësit dhe sigurinë e Kongresit, duke paralajmëruar se Honduras po përballet me një nga periudhat më kritike politike në historinë moderne të vendit.