REZISTENCA/ Zelensky e bën të qartë: Nëse diplomacia me Rusinë dështon, Ukraina do të vazhdojë të mbrohet

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi sot se nëse përpjekjet diplomatike nuk arrijnë ta detyrojnë Rusinë t’i japë fund luftës, vendi i tij do të vazhdojë të mbrohet.

“Nëse Rusia i bllokon të gjitha këto përpjekje dhe nëse partnerët tanë nuk e detyrojnë Moskën ta ndalë luftën, atëherë ekziston një rrugë tjetër: do të mbrohemi”, tha Zelensky, duke iu përgjigjur pyetjeve për ndryshimet e fundit në zyrën e tij dhe në Ministrinë e Mbrojtjes.

Zelensky njoftoi se ka emëruar kreun e shërbimit të inteligjencës ushtarake, Kyrylo Budanov, si shef të Zyrës Presidenciale, një nga postet më të rëndësishme në vend. Po ashtu, ai shprehu synimin që, me miratimin e parlamentit, të zëvendësojë ministrin aktual të Mbrojtjes, Denys Shmyhal, me ministrin e Transformimit Digjital, Mykhailo Fedorov, ndërsa Shmyhal pritet të marrë drejtimin e Ministrisë së Energjisë.

“Për vendin tonë ekzistojnë dy rrugë: ajo e diplomacisë dhe ajo e vazhdimit të konfliktit, nëse Rusia refuzon ta ndalë luftën”, theksoi Zelensky.

Ndërkohë, këshilltarë për sigurinë nga 15 vende aleate të Ukrainës, si dhe përfaqësues të BE-së dhe NATO-s, u mblodhën sot në Kiev. Përpjekjet diplomatike janë intensifikuar që nga nëntori, me nismën e presidentit amerikan Donald Trump, ndërsa i dërguari i tij i posaçëm, Steve Witkoff, mori pjesë në takimin e Kievit përmes lidhjes në distancë.

Megjithatë, Zelensky kërkoi që “Shtetet e Bashkuara të ushtrojnë më shumë presion” ndaj Moskës, në një kohë kur Rusia ka paralajmëruar ashpërsim të qëndrimit në negociata, duke akuzuar Kievin për sulme me dronë, përfshirë një incident të dhjetorit pranë një rezidence të presidentit Vladimir Putin.