MASA E SIGURISE/ Lirohet nga qelia CEO i Bankers Petroleum

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur lirimin nga qelia dhe caktimin e masës së sigurisë “arrest shtëpie” për CEO-n e kompanisë Bankers Petroleum, Hongping Xiao.

Vendimi u mor vetëm pak ditë pasi, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, GJKKO zgjati me tre muaj afatet e hetimit për të ashtuquajturën dosje “Bankers”.

Sipas organit të akuzës, zgjatja e hetimeve është e nevojshme për shkak të kompleksitetit të çështjes dhe nevojës për kryerjen e veprimeve të tjera hetimore shtesë.

Hongping Xiao ishte i vetmi i pandehur në këtë dosje që ndodhej nën masën e sigurisë “arrest në burg”, ndërsa të pandehurit e tjerë janë lënë në masa më të lehta, përfshirë arrestin shtëpiak.

Hetimet e Prokurorisë së Posaçme lidhen me deklarime të dyshimta tatimore dhe shmangie të detyrimeve financiare për një periudhë të gjatë, nga viti 2004 deri në vitin 2024.

Sipas SPAK, këto veprime kanë shkaktuar një dëm të konsiderueshëm financiar në buxhetin e shtetit.

Prokuroria pretendon se Bankers Petroleum ka realizuar shitje dhe eksporte nafte me vlerë totale rreth 532 miliardë lekë, ndërkohë që ka deklaruar humbje për çdo vit financiar, me një total prej rreth 11.7 miliardë lekësh.

Sipas akuzës, kjo skemë i ka shërbyer shmangies së tatimit mbi fitimin dhe përfitimit të rimbursimeve të dyshimta të TVSH-së.

Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka bllokuar së fundmi aktivitetin e Bankers Petroleum për shkak të një gjobe prej 120 milionë eurosh të papaguar.