ZBARDHEN “DEBATET”/ Kapja në flagrancë pas pazarit me qeverinë për Avokatin e Popullit – Berisha thirri kryesinë të largojë vëmëndjen nga skandali

Në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Partisë Demokratike, e zhvilluar pa praninë e mediave, janë zhvilluar diskutime të forta lidhur me çështjen e Avokatit të Popullit dhe organizimin e protestës.

Janë zbardhur debate nga mbledhja, teksa Flamur Noka ka sqaruar se pas largimit të mediave, në bazë të pikës së parë dhe të vetme të rendit të ditës, kanë nisur diskutimet për protestën e radhës së opozitës.

Gjatë debatit, kreu i PD-së, Sali Berisha, ka marrë fjalën duke u ndalur te procesi i firmosjes për Avokatin e Popullit, duke e cilësuar atë si një gabim të rëndë politik. Berisha ka kërkuar që deputetët që kanë firmosur të dalin publikisht dhe të kërkojnë falje.

“Duhet të kërkojmë falje publike secili prej deputetëve që ka firmosur për Avokatin e Popullit dhe Rama le ta gëzojë, se ka 98% të pushtetit, nuk bën diferencë se shkon 99%. Por të sqarojmë qytetarët, po ata deputetë që firmosën për Shabanin, po me firmën e tyre, tërhoqën me firmë, me nënshkrim firmat e dhëna për Shabanin dhe e bënë ketë brenda afateve ligjore.”, mësohet të ketë deklaruar Berisha.

Në këtë moment ka ndërhyrë Jozefina Topalli, e cila ka kundërshtuar këtë qëndrim: Jo mor, mos e gëzoftë.

Ndërsa Berisha ka insistuar se Partia Demokratike nuk do ta çojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese.

“Ta gëzojë. Ne nuk do merremi as në Gjykatën Kushtetuese. Ky ishte gabim dhe ne duhet ta pranojmë”, është shprehur Berisha gjatë mbledhjes.

Ndërkohë, Bislim Ahmetaj duket se ka qenë i revoltuar ndaj sekretarit të partisë, Flamur Noka duke shtuar:
“Mendoj që përgjegjësinë e ka Flamur Noka për gjithë këtë çorganizim të organizuar që ka partia dhe mendoj se do e kemi të vështirë të na vijnë njerëz. Me këtë reagim po neglizhojmë demokratët dhe Avokati i Popullit është përgjegjësi e Nokës. Me Salianjin nuk kam pasur simpati, se jemi përplasur, por sot, me lëvizjet që po bën, i jap të drejtë.”

REPLIKAT:

Bislim Ahmetaj: Mendoj që përgjegjësinë e ka Flamur Noka për gjithë këtë çorganizim të organizuar që ka partia dhe mendoj se do e kemi të vështirë të na vijnë njerëz.
Me këtë reagim po neglizhojmë demokratët dhe Avokati i Popullit është përgjegjësi e Nokës. Me Salianjin nuk kam pasur simpati, se jemi përplasur, por sot, me lëvizjet që po bën, i jap të drejtë.

Noka: Në Durrës nuk kanë qenë demokratë. Arlind Boshku dhe Tan Burgia janë zëra të Dyrmishit dhe Ergysit.

Salianji: Janë sekretari i degës dhe kryetari i grupit të këshilltarëve të PD. Pse sot, që nuk mendojnë si ju, janë kundër këta?! Po këta emrat e PS pse nuk i përmendni ju në publik?

Noka: Në Elbasan njerëzit thonë që po angazhohet Suel Çela për të mos pasur njerëz në tek foltorja dhe ky është ndikimi yt (Salianjit).

Salianji: Ende nuk e kam caktuar takimin, por meqë deri sot kam menduar që s’dua përçarje dhe as dua të flas, po të them që ti duhet të jesh i kujdesshëm, sepse ke qenë i akuzuar para 4 vitesh se mblidhje firmat e seksioneve nën kërcënimin e Suelit. Pastaj, se kush e takon, ju e dini që jua sjell me fakte nëse vazhdoni me këto idiotësi.

Noka: Në Gjirokastër nuk kishe kryesi.

(Salianji lexon gjithë emrat e kryesisë)

Salianji: Mbi 80% e kryesisë dhe salla plot, por edhe sikur, pse nuk shkon ti, Flamur, apo ndonjë tjetër dhe t’i mbushë sallat?
Avokati i Popullit ishte gabim strategjik. PD duhet të shkonte me një kandidat. E kemi dërguar para 4 vitesh Ledio Brahon kandidat të vetëm dhe e ka rrëzuar Rama. Nuk mund t’u thuash deputetëve që firmosni kë të doni dhe pastaj thua pse na e hodhi Rama. Duket si pazar te njerëzit dhe ti, Flamur, meqë po i del për zot, duhet të japësh dorëheqjen për shkatërrimin e strukturës, organizimit dhe perceptimin që jeni shitur te Rama.

(Ndërhynë Noka…)

Salianji: Mos më ndërhy, se është fjala ime. Mendoj që pas kësaj të vëmë mend. Mos ulemi më me Ramën as te reforma zgjedhore, as te territorialja. Të japim propozimin tonë. I imi është të hapen listat, të kemi koalicione parazgjedhore dhe të ndryshojë mënyra e votimit për diasporën. Dhe te territorialja të propozojmë bashkitë sipas propozimeve të demokratëve dhe qytetarëve.