SUPERKUPA/ “Napoli triumfues në finale” – Konte: Ende nuk jemi gati për të komanduar kampionatin, garë e vështirë edhe për 4 vendet e para

Trajneri i Napolit, Antonio Konte, foli pas triumfit në finalen e Superkupës ndaj Bolonjës me rezultatin 2 me 0. Në prononcimin e bërë pas ndeshjes për mediat italiane, ai deklaroi:

“Komplimentet duhen bërë mbi të gjitha për djemtë, sepse zhvilluan një turne të përsosur dhe treguan sa shumë e donin këtë trofe. Në dhomat e zhveshjes kishte dëshirë për t’ia dhuruar këtë kupë vetes, stafit dhe tifozëve, si edhe për të kaluar një Krishtlindje të bukur.”

I pashmangshëm ishte edhe respekti për Bolonjën:

“Janë një realitet i bukur i futbollit tonë, një kundërshtar konkurrues. Bravo Italiano, bravo skuadra, bravo klubi.”

Konte ngre trofeun e dhjetë si trajner:

“Ashtu siç thashë edhe para turneut, në futboll në mendje mbeten vetëm sukseset. Në gjysmëfinale kishim mundur një skuadër të madhe si Milani dhe do të kishte qenë gjithsesi një rrugëtim i mirë, por në fund ka rëndësi kush i ngre trofetë. Në karrierë kam humbur shumë finale dhe kjo më ka bërë më të egër, sepse nuk do t’i përjetosh më ato momente kaq të dhimbshme. Kur mbërrin në finale, duhet vënë patjetër qershia mbi tortë.”

Fillimisht kampionati, tani Superkupa, a mund të thuhet se Napoli komandon në Itali?

“Absolutisht jo, do të isha gënjeshtar po ta thosha këtë. Vitin e kaluar fituam kampionatin me një skuadër shumë të reduktuar, këtë vit kemi afruar shumë lojtarë, por ende nuk jemi gati për të komanduar. Nuk jemi gati, madje as afër. Ky sezon do të ketë një garë shumë të vështirë për katër vendet e para, duhet të jemi modestë dhe të punojmë për t’u hequr kënaqësi vetes.”

Për meritat e tij dhe të stafit…

“Është e vërtetë, goli i parë i Neres ishte një kryevepër, por krijuam edhe shumë raste të tjera që i kishim provuar në stërvitje. Nëse duhet të gjej një të metë, është se duhej të ishim më cinikë. Puna e trajnerëve është të përmirësojnë futbollistët dhe ata që kam stërvitur janë rritur teknikisht, taktikisht dhe nga ana e mentalitetit. Merrni Hojlund dhe Mek Tominei pse nuk luanin te Junajtid dhe tani të gjithë thonë se janë të fortë? Diçka duhet ta kemi bërë edhe unë edhe stafi im…”.