Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se aktualisht nuk e parashikon një vizitë në Ukrainë, teksa po shtyn përpara përpjekjet për t’i dhënë fund luftës. Por, nëse do të ishte e nevojshme, atëherë do ta merrte këtë hap.
Gjatë një deklarate për mediat, Trump theksoi se fokusi kryesor mbetet arritja e marrëveshjes dhe jo domosdoshmërisht udhëtimet diplomatike.
“Nuk e parashikojmë. Do të donim ta mbyllnim marrëveshjen dhe jo domosdoshmërisht të na duhet të shkojmë,” u shpreh Trump, duke nënvizuar se qëllimi kryesor është përfundimi i negociatave me sukses.
Megjithatë, presidenti amerikan bëri të ditur se ka ofruar mundësinë për të folur para Parlamentit ukrainas, nëse kjo do të ndihmonte procesin e paqes.
“Nëse kjo do të ndihmonte, nuk e di. Mendoj se ndoshta do të ndihmonte, por nuk jam as i sigurt,” tha ai.
Në këtë moment, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ndërhyri, duke i thënë Trump se do të ishte “gjithmonë” i mirëpritur në Ukrainë, nëse do të vendoste të vizitonte vendin.
Trump u përgjigj duke lënë të hapur mundësinë e një vizite, por vetëm nëse ajo do të kishte ndikim real në shpëtimin e jetëve.
“Nuk jam i sigurt se do të ishte vërtet e nevojshme, por nëse kjo do të ndihmonte për të shpëtuar 25 mijë jetë në muaj, apo çfarëdo qoftë shifra, sigurisht që do të isha i gatshëm ta bëja,” u shpreh ai.









