BURIME KRIMINALE/ I dënuar për trafik droge në Francë Prokuroria i kërkon konfiskimin e pasurisë

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë ka kërkuar konfiskimin e pasurive të shtetasit E.A., këtë të hënë, i cili rezulton i dënuar në Francë për veprën penale të “Trafikimit të lëndëve narkotike”, si dhe të personave të lidhur me të.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, nga hetimet është konstatuar se “pasuritë e shtetasit E.A nuk justifikohen nga pikëpamja ekonomike dhe dyshohet se rrjedhin nga veprimtaria kriminale e këtij shtetasi.”

Analiza financiare dhe dokumentacioni i administruar ka nxjerrë në pah se për periudhën 2005-2010, E.A. dhe personat e lidhur me të, përfshirë vëllain B.A., “kanë qenë në pamundësi objektive financiare për të përballuar blerjen e njësisë shërbimi me sipërfaqe 108 m² dhe pasurisë me nr.5/255, pasi totali i të ardhurave të ligjshme është dukshëm më i ulët se totali i investimeve dhe shpenzimeve të konstatuara.”

Prokuroria nënvizon gjithashtu se edhe pasuria e shtetasit A.M., një njësi shërbimi 63 m², rezulton se është krijuar në një periudhë kur ai “nuk kishte mundësi financiare”, dhe pagesat për këtë pronë janë kryer nga vëllai i E.A., B.A., duke krijuar dyshimin se pronësia e saj i përket E.A.

Sipas Prokurorisë janë konfiskuar:

Njësia truall me sipërfaqe 71.52 m² dhe ndërtesë 37.52 m², me nr.5/255, zk.8380, e blerë më 04.08.2010 kundrejt vlerës 9,332,800 lek, aktualisht në pronësi të E.A.;

Njësia shërbimi 108 m² e përfituar nga B.A., me vlerë 210,000 euro;

Njësia shërbimi 63 m² e përfituar nga B.A., me vlerë 126,000 euro.