Presidenti Donald Trump, njoftoi në Social Truth se kishte nënshkruar legjislacionin që i kërkon Kongresit të publikojë të gjitha dokumentet që lidhen me rastin Jeffrey Epstein, financierit që vdiq në burg në vitin 2019, ku ishte mbajtur nën akuzat për trafikim seksual të të miturve.
“Sapo nënshkrova ligjin për të publikuar dosjen Epstein!” ka shkruar presidenti ndër të tjera në mesazhin e tij, teksa më tej akuzon demokratët se fshehin të vërtetën rreth financierit të pasur.
“Ky mashtrim i fundit, do t’u kthehet kundër demokratëve si të gjithë të tjerët. Jeffrey Epstein, i paditur nga Departamenti i Drejtësisë i Trump në vitin 2019 (jo nga Demokratët!),ishte një demokrat i përjetshëm, dhuroi mijëra dollarë për politikanë demokratë dhe kishte lidhje të thella me shumë figura të shquara demokrate, si Bill Clinton (i cili fluturoi me të 26 herë), Larry Summers (i cili sapo dha dorëheqjen nga disa borde, përfshirë Harvardin), aktivisti politik i korruptuar Reid Hoffman, udhëheqësi i pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve Hakeem Jeffries (i cili i kërkoi Epstein të dhuronte për fushatën e tij pasi Epstein u padit), kongresmenja demokrate Stacey Plaskett dhe shumë të tjerë.”ka shkruar Trump në platformën Truth.
“Ndoshta e vërteta rreth këtyre demokratëve dhe lidhjeve të tyre me Jeffrey Epstein do të zbulohet së shpejti, sepse UNË SAPO KAM NËNSHKRUAR PROJEKTLIGJIN PËR TË LIRUAR DOSJET E EPSTEIN!” shkroi ai.
Dosjet e Epstein që mund të publikohen sipas legjislacionit janë dokumente nga hetimet penale ndaj financierit, duke përfshirë transkripte të intervistave me viktimat dhe dëshmitarët, dhe sende të sekuestruara në bastisjet e pronave të tij. Këto materiale përfshijnë komunikime të brendshme të departamentit të drejtësisë, regjistra fluturimesh dhe njerëz e subjekte të lidhura me Epstein.
Ato janë të ndryshme nga më shumë se 20,000 faqet e dokumenteve nga pasuria e Epstein të publikuara nga Kongresi javën e kaluar, duke përfshirë disa që përmendin drejtpërdrejt Trumpin.
Trump ishte mik i Epstein për vite me radhë, por presidenti ka thënë se ata u grindën në fillim të viteve 2000, dy vjet para se Epstein të arrestohej për herë të parë. Trump ka mohuar vazhdimisht çdo shkelje në lidhje me Epstein. Duke folur me gazetarët të hënën në mbrëmje, Trump tha se republikanët nuk kishin “asgjë të bënin me Epsteinin”.
Epstein u gjet i vdekur në vitin 2019 në qelinë e tij të burgut në Nju Jork, në atë që një mjek ligjor e cilësoi si vetëvrasje. Ai po mbahej nën akuzat për trafikim seksual. Ai ishte dënuar më parë për nxitje prostitucioni nga një e mitur në vitin 2008.









