Kur Xi Jinping drejtoi ceremoninë madhështore të vënies në përdorim të aeroplanmbajtëses më të re të Kinës këtë muaj, tre funksionarë që priteshin të kishin role të rëndësishme në komandën detare mungonin në mënyrë të çuditshme.
Pamjet e televizionit shtetëror nuk tregonin komandantin e marinës, admiral Hu Zhongmingun, as admiral Wu Yanan-in, që drejton komandën jugore ku ndodhet edhe Hainani.
Po ashtu mungonte edhe komisari politik i komandës rajonale, admirali Wang Wenquan.
Mungesat vijnë në mes të një vale të re largimesh të funksionarëtë Ushtrisë Çlirimtare Popullore nga Xi, çka tregon se spastrimi i presidentit po përfshin tani shumë figura me role të rëndësishme komanduese.
Kjo po nxit spekulime mbi ndikimin që mund të ketë në mënyrën si stërvitet ushtria dhe nëse ajo është gati për luftë.
“Ata po përpiqen të ruajnë pamjen e jashtme, por pa dyshim që po ndikon në operacionet e vijës së parë të UÇP-së,” tha një zyrtar amerikan i informuar mbi çështjen, duke shtuar se ekspertët që nuk e shohin këtë ndikim “ka të ngjarë të vuajnë nga një boshllëk informacioni”.
Mungesa e tre admiralëve në Hainan u shfaq vetëm disa javë pasi Pekini njoftoi shkarkimin e 10 funksionarë të tjerë të lartë të UÇP-së, përfshirë He Weidong, dikur i treti në komandën ushtarake, i cili u hoq në heshtje në prill.
Admiralët Hu dhe Wu ishin mes 27 funksionarë të lartë të UÇP-së që mungonin në një mbledhje vendimtare të komitetit qendror të Partisë Komuniste muajin e kaluar, mungesë që përbënte 64%të anëtarëve me prejardhje ushtarake.
Mendohet se shumica e të munguarve janë nën hetim ose tashmë janë konfirmuar se kanë humbur postin ose anëtarësinë në parti.
Kryetarët e të gjitha komandave rajonale të UÇP-së, përveç njërës, aktualisht janë të zhdukur nga skena publike, janë nën hetim ose janë shkarkuar.
Marina dhe forcat tokësore kanë ndjekur shembullin e forcës raketore, duke patur komandantët e tyre në shënjestër.
Krerët e disa departamenteve të specializuara nën Komisionin Ushtarak Qendror, organi më i lartë komandues i drejtuar nga Xi, janë zhdukur gjithashtu nga publiku.
Dhjetëra komisarë politikë janë rrëzuar nga detyra ose janë nën hetim të brendshëm partiak.
Që nga largimi i He-së, numri tre i ushtrisë, analistët kanë vënë re ndryshime të dukshme në manovrat e saj rreth Tajvanit, rajoni ndaj të cilit Pekini besohet se ka më shumë gjasa të ndërmarrë veprime ushtarake dhe ku ka intensifikuar stërvitjet.
Që nga maji, ushtria kineze ka dërguar shumë më pak avionë luftarakë përtej vijës ndarëse në ngushticën e Tajvanit krahasuar me të njëjtën periudhë vitin e kaluar.
Që nga korriku, edhe numri mujor i përgjithshëm i avionëve të UÇP-së që fluturojnë pranë hapësirës ajrore të Tajvanit ka rënë krahasuar me vitin 2024.
Megjithatë, analistët paralajmërojnë të mos nxirren përfundime se spastrimet kanë dëmtuar gatishmërinë luftarake të forcës, pasi mund të ketë faktorë të tjerë që ndikojnë këto ndryshime.
Ekspertë të lidhur me ushtrinë e Tajvanit besojnë se rënia e He-së ka sjellë një ndryshim në strategjinë e UÇP-së.
Tristan Tang, studiues në Projektin e Kërkimit të Çështjeve të Mbrojtjes së Kinës në Taipei, tha se He ka qenë forca shtytëse pas të ashtuquajturës luftë në zonën gri ndaj Tajvanit.
“Origjina e tij ishte në një njësi zbulimi të ushtrisë së UÇP-së, dhe ata fokusohen te frikësimi dhe pengimi i Tajvanit, por edhe te testimi i aftësive të armikut dhe zbulimi i rregullave të angazhimit të tij,” tha Tang.
“Ai do të kishte mbështetur operacione ndaj Tajvanit që i japin përparësi këtij lloji aktivitetesh.”
Gjenerali Zhang Youxia, zëvendëskryetari i parë i Komisionit Ushtarak Qendror dhe i dyti në komandë pas Xi-së, ishte më i fokusuar te trajnimi i fortë për të çuar përpara objektivin afatgjatë të Xi për ta bërë forcën mjaftueshëm të fortë sa të përballonte SHBA-në, shtoi ai.
“Zhang dhe He kishin pikëpamje të ndryshme brenda CMC-së, dhe Zhang nuk e mbështet idenë që forca të angazhohet në aktivitete të bujshme,” tha ai.
“Ka shumë gjasa që largimi i He-së të ketë sjellë rikthimin te një regjim tjetër stërvitor.”
Personat e njohur me manovrat e UÇP-së thanë se një tjetër faktor ishte aftësia e përmirësuar e saj për të operuar pranë Tajvanit, Japonisë dhe Filipineve.
“UÇP-ja arriti në përfundimin vitin e kaluar se kishte zotëruar aftësitë e nevojshme për të kontrolluar zinxhirin e parë të ishujve, ndaj filloi të zhvendoste fokusin e stërvitjes drejt kundërpërgjigjes ndaj forcave amerikane në Paqësor,” tha një zyrtar i inteligjencës së huaj.
Në fund të vitit 2024, UÇP-ja zhvilloi stërvitje që Taipei i quajti rekord për numrin e anijeve dhe avionëve luftarakë rreth Tajvanit dhe Japonisë dhe më tej në Paqësor.
Këtë verë, dy aeroplanmbajtëse kineze operuan njëkohësisht jashtë zinxhirit të parë të ishujve për herë të parë, dhe Pekini dërgoi një prej tyre përtej Ishujve Mariana të Veriut dhe Guamit në Paqësorin qendror, po për herë të parë.
Analistë të tjerë besojnë se Pekini ka përshtatur sjelljen e tij rreth Tajvanit për qëllime më të gjera politike.
“Ndryshimet mund të kenë lidhje me komandantët e vijës së parë që janë larguar nga postet e tyre,” tha James Char, profesor në Shkollën e Studimeve Ndërkombëtare S Rajaratnam në Singapor, i cili ka ndjekur spastrimet e UÇP-së prej një dekade.
“Por mund të ketë edhe një kontekst rajonal ose një lidhje me politikën e brendshme të vetë Tajvanit,” shtoi ai.
Ai tha se Pekini mund të jetë duke shmangur lëvizje të debatueshme të UÇP-së për të mos humbur mundësinë që i paraqitet nga zgjedhja e një kryetari të ri të opozitës tajvanezeKuomintang, i cili ka bërë deklarata më të favorshme ndaj Kinës.
Po ashtu, dëshira e Pekinit për një marrëveshje me presidentin amerikan Donald Trump mund të jetë një tjetër arsye pas aktivitetit të reduktuar rreth Tajvanit.
Megjithatë, vëzhguesit paralajmërojnë se zgjerimi i spastrimeve të Xi-së mund të ketë pasoja të mëdha për forcat ushtarake për vite me radhë dhe mund të jetë një shqetësim për Xi-në kur ai vlerëson mundësinë e një konflikti në Ngushticën e Tajvanit.
“Kjo është vetëm maja e ajsbergut,” tha Char, duke iu referuar spastrimeve të drejtuesve të lartë të UÇP-së që janë bërë publike. “Mund të ketë qindra të tjerë në zyrat nën CMC që preken.”
Fushata e Xi-së më parë ishte përqendruar te korrupsioni në kërkimin dhe prokurimin e armëve, çka çoi në rrëzimin e shumë zyrtarëve të lartë të lidhur me departamentin e zhvillimit të pajisjeve të CMC-së, gjithë udhëheqjes së forcave raketore dhe dy ministrave të mbrojtjes radhazi.
Tani ajo po shndërrohet në një përpjekje më të gjerë për të ristrukturuar menaxhimin e personelit të ushtrisë.
Që nga shkarkimi i Miao Hua-së në fund të vitit të kaluar, anëtar i CMC-së përgjegjës për punën politike, Xi ka nisur një goditje të gjerë ndaj komisarëve politikë, funksionarët e UÇP-së që ngarkohen të sigurojnë besnikërinë e forcës ndaj partisë dhe të menaxhojnë e promovojnë personelin.
Një grup i ri rregullash për korrigjimin e sjelljes së kuadrove politikë, të cilin gazeta ushtarake PLA Daily e njoftoi në korrik, kërkon që këta kuadro t’u përgjigjen kërkesave nga baza dhe të jenë të përgjegjshëm para personelit të thjeshtë. Analistët besojnë se kjo hap rrugën për një valë të gjerë denoncimesh ndaj komisarëve nga vartësit e tyre.
Kjo mund të sjellë valë të mëtejshme spastrimesh dhe të shkaktojë një qarkullim të shpejtë që do të promovonte një numër të madh funksionarësh shumë më të rinj, me më pak lidhje patronazhi nëpër strukturat e forcës.
Analistët argumentojnë se përpjekja për reformë synon të trajtojë dobësitë strukturore që burojnë nga sistemi i kontrollit politik të partisë mbi UÇP-në, i cili pengon decentralizimin e komandës, një element që ekspertët ushtarakë perëndimorë e shohin si kyç për një forcë të aftë të veprojë me shkathtësi në kohë lufte.
Disa vëzhgues janë bërë të shqetësuar për ndikimet afatgjata që mund të ketë promovimi i një numri të madh komandantësh të rinj në mentalitetin e trupës së funksionarëve të UÇP-së.
“Ata mund të jenë shumë më pak të matur, më nacionalistë dhe më agresivë,” tha një zyrtar i lartë tajvanez. “Të jem i sinqertë, rezultati i këtyre spastrimeve mbetet plotësisht i paqartë.”









