Pentagoni ka njoftuar se ka miratuar shitjen e parë të armëve në Tajvan, që prej marrjes së detyrës nga Donald Trump në janar. Kina, e cila e konsideron ishullin vetëqeverisës si pjesë të territorit të saj, e ka quajtur këtë veprim një shkelje të sovranitetit të saj.
Taipei do të shpenzojë 33 milionë dollarë për të blerë pjesë këmbimi për avionët e prodhuar në Amerikë që operon, tha Departamenti Amerikan i Luftës në një deklaratë të enjten. Kjo blerje do e ndihmojë Tajvanin në ruajtjen e gatishmërisë operacionale të flotës së F-16, C-130 dhe aeroplanëve të tjerë sipas deklaratës.
Zëdhënësja e zyrës presidenciale të Tajvanit, Karen Kuo, e mirëpriti miratimin, duke pretenduar se “thellimi i partneritetit të sigurisë Tajvan-SHBA është një gur themeli i rëndësishëm i paqes dhe stabilitetit në rajonin Indo-Paqësor”.
Shitja e pjesëve t avionëve amerikanë do të hyjë në fuqi brenda një muaji.
Ndërkohë një zëdhënës nga ministria e jashtme e kinës ka thënë: “Çështja e Tajvanit është vija e parë e kuqe që nuk duhet të kalohet në marrëdhëniet Kinë-SHBA”.
Uashingtoni ka mbajtur kontakte me autoritetet në Taipei dhe ka premtuar ta mbrojë ishullin ushtarakisht në rast të një konflikti me kontinentin. Kina ka thënë vazhdimisht se qëllimi i saj është “ribashkimi paqësor” me Tajvanin, por ka paralajmëruar se nuk do të hezitojë të përdorë forcën nëse Taipei shpall zyrtarisht pavarësinë.









