PASOJAT/ Kriza në SHBA: Mbyllja e qeverisë paralizon vendin dhe godet miliona qytetarë

Mbyllja më e gjatë e qeverisë federale në historinë e SHBA-së po ndikon në mënyrë të gjerë në jetën e përditshme të qytetarëve, duke lënë miliona njerëz pa paga, pa ndihma dhe me pasiguri të thellë ekonomike, sipas CNN.

Qeveria mbetet e paralizuar, pasi republikanët nuk kanë arritur të sigurojnë votat e nevojshme për të miratuar një ligj për financimin, ndërsa demokratët këmbëngulin për ruajtjen e subvencioneve të sigurimit shëndetësor.

Ndërkohë, pasojat ndihen fort në transportin ajror: Administrata Federale e Aviacionit ka urdhëruar ulje të fluturimeve, duke shkaktuar anulimin e mbi një mijë udhëtimeve dhe vonesa në aeroporte të mëdha si Uashington, Atlanta dhe San Francisko. Udhëtarët janë zemëruar dhe të frustruar , disa kanë humbur ngjarje familjare të rëndësishme, të tjerë po përpiqen të arrijnë tek të afërmit e sëmurë.

“Njerëzit po vuajnë vërtet këtu jashtë”, tha një pasagjer në Nju Jork, duke fajësuar politikanët për kaosin.

Situata është po aq e rëndë për familjet që varen nga ndihmat ushqimore. Një gjykatës federal urdhëroi administratën Trump të paguajë plotësisht përfitimet e programit “SNAP” për më shumë se 40 milionë amerikanë, por vendimi u pezullua menjëherë nga Gjykata e Lartë, duke shtuar pasigurinë. Shumë familje tashmë po mbeten pa ushqim, ndërsa depot bamirëse janë të mbingarkuara.

Ekspertët ekonomikë paralajmërojnë për pasoja serioze nëse mbyllja vazhdon. Drejtori i Këshillit Kombëtar Ekonomik, Kevin Hassett, tha se ndikimi është “shumë më i keq se pritej” dhe se një zgjatje e krizës mund të dëmtojë ndjeshëm ekonominë këtë tremujor. Ndërkohë, miliona punonjës federalë po hyjnë në javën e shtatë pa paga, duke kërkuar punë të përkohshme ose ndihmë nga të afërmit.