DATA/ Osmani: Zgjedhjet në Kosovë mbahen më 28 dhjetor

Osmani në një konferencë për media deklaroi se tetë parti politike ishin për datën 28 dhjetor, pesë për 21 dhjetorin dhe tri parti thanë se cilado datë është në rregull për ta. 

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përjashtuar mundësinë që zgjedhjet të mbahen në muajin janar, duke deklaruar se ka vendosur që zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të zhvillohen më 28 dhjetor.

“Data 28 dhjetor është data që kam vlerësuar se mbetet e vetmja e mundshme, megjithëse edhe kjo datë paraqet sfida për KQZ-në”, tha Osmani në një konferencë për media.

Ajo sqaroi se data 11 janar bie jashtë afateve kushtetuese, ndërsa data 4 janar paraqet kufizime të mëdha për buxhetin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

“Meqë sot kam shpërndarë Kuvendin, data 11 janar përjashtohet si opsion, sepse është jashtë afateve kushtetuese që do të më lejonin ta përdorja. Sa i përket datës 4 janar, atëherë KQZ-ja do të mund të shfrytëzonte vetëm 1/12 e buxhetit të saj, që përkthehet në maksimum 1 deri në 1.5 milion euro, ndërkohë që kostoja e këtyre zgjedhjeve është llogaritur të jetë mesatarisht 8 milionë euro”.

E para e shtetit ka thënë se ka pasur edhe një tentativë për të zgjidhur ngërçin politik, para se të nënshkruajë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit.

“Para se ta nënshkruajë dekretin për shpërndarje kam bërë përpjekjen e fundit që partitë të kthehen në Kuvend që të miratohen zgjatjet buxhetore në mënyrë që as pagat e qytetarëve tanë e as funksionimi i shtetit të mos bllokohen dhe të kemi buxhet deri në mars. Së dyti ka qenë edhe pako presidenciale prej pesë marrëveshjesh ndërkombëtare në vlerë prej 1 miliardë euro dhe çështje të tjera të rëndësishme për të cilat kam shpresuar për vullnet politik”, ka thënë ajo.

Por, ka thënë se nuk ka pasur vullnet politik pavarësisht që ka ekzistuar baza kushtetuese e qartë që edhe pas dështimit të mandatarit të dytë, Kuvendi të mblidhet dhe të marrë vendime.

“Në mungesë të vullnetit politik, nuk ka pasur zgjidhje tjetër  përveç që të nënshkruajë dekretin për shpërndarje. Është për keqardhje që nuk u arrit një dakordim i tillë, jo pse ishin marrëveshjet e dobëta por sepse mungonte vullneti”, ka shtuar ajo.

Kosova është zhytur në krizë të thellë që nga përfundimi i zgjedhjeve të fundit parlamentare, të cilat janë mbajtur para pothuajse dhjetë muajsh, derisa vendi rrezikon jo vetëm regres të mëtejshëm institucional, por edhe pasoja ekonomike dhe sociale.

Një varg vëzhguesish politikë dhe përfaqësuesish të spektrit politik kanë paralajmëruar se skenari i përsëritjes së zgjedhjeve mund të bëhet realitet edhe në pranverën e vitit 2026 — kohë kur i përfundon mandati aktual edhe presidentes Osmani.