BOTERORI 2026/ Kurti motivon kombëtaren e Kososvës: 1.5 mln euro shpërblim për kualifikimin

Qeveria e Kosovës ka shpallur paketën më të madhe financiare motivuese në historinë e sportit kosovar: 1.75 milionë euro shpërblime për futbollistët, nëse kombëtarja arrin të sigurojë kualifikimin në Kupën e Botës 2026. 250 prej të cilave janë dhënë për sigurimin e fazës së play off, 500 mijë për kalimin e gjysmëfinales. E 1 milionë euro në rast suksesi në finalen e play off që në këtë skenar do të luhej në Prishtinë

1,5 milionë euro do të marrin futbollistët dhe stafi teknik i Kosovës si shpërblim në rast kualifikimi për Botërorin 2026 që do të luhet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

500 mijë euro prej të cilave do t’i marrin në rast fitoreje në ndeshjen e parë kundër Sllovakisë dhe 1 milionë euro të tjera në rast se do të mposhtin në finalen që në këtë rast do të luhej në Prishtinë fituesin e çiftit Turqi-Rumani.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë premtimin për shpërblimin, teksa ka miratuar në mbledhjen e qeverisë edhe bonusin prej 250 mijë euro për kualifikimin historik për në fazën e Play Off

“Për suksesin historik në këtë fushatë, sot ndajmë 250 mijë euro shpërblim. Në fazën e radhës hyjmë me plot vetëbesim. Në rast të fitores ndaj Sllovakisë shpërblejmë me 500 mijë euro, dhe në rast të kualifikimit në Kupën e Botës edhe 1 milion euro të tjera”.

Kosova e mbylli fazën kualifikese në vendin e dytë të Grupit B, me 11 pikë, vetëm 3 pikë pas Zvicrës që doli e para, dhe 7 pikë para Sllovenisë së vendit të tretë.

Kjo paraqitje i dha kombëtares së Kosovës biletën për play-off, duke shënuar suksesin më të madh të saj deri më sot.

Në gjysmëfinalen e play-off-it, Kosova do të përballet me Sllovakinë, sfidë me eliminim direkt. Fituesi kalon në finalen e play-off-it, ku do të luajë me fituesin e sfidës tjetër të grupit, mes Turqisë dhe Rumanisë.

Vetëm fituesi i finales kualifikohet në Botërorin 2026. Qeveria synon që me këtë paketë rekord shpërblimesh të krijojë motivimin maksimal në një nga momentet më vendimtare të futbollit kosovar.