Kryeministri britanik Keir Starmer pritet t’i bëjë thirrje vendeve të ashtuquajturës Aleanca e të Gatshmëve, e cila mbështet Ukrainën, që të rrisin donacionet e armëve me rreze të gjatë veprimi për Kievin.
Deklarata e Starmer vjen në kuadër të takimit që kryeministri britanik do të zhvillojë sot në Londër me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
Takimi mbahet një ditë pas samitit të Bashkimit Europian në Bruksel, ku mori pjesë edhe Zelensky.
Në kryeqytetin britanik pritet të marrin pjesë edhe kryeministrja daneze Mette Frederiksen, homologu i saj holandez Dick Schoof dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, sipas njoftimit nga zyra e Starmer.
Ndërkohë, rreth 20 udhëheqës të tjerë, përfshirë presidentin francez Emmanuel Macron, do të marrin pjesë në bisedime përmes video-lidhjes, njofton Downing Street.
Aleanca e të gatshmëve përfshin 26 vende, kryesisht evropiane, dhe bashkëkryesohet nga Starmer dhe Macron.
“Kryeministri pritet t’u bëjë thirrje udhëheqësve që ta vendosin Ukrainën në pozicionin më të fortë të mundshëm ndërsa afrohet dimri”, – thuhet në deklaratën e zyrës së tij.
Përveç forcimit të sanksioneve ndaj hidrokarbureve ruse, Starmer do t’u kërkojë partnerëve të tij që të përfundojnë punën për përdorimin e burimeve ruse me qëllim që të lirohen miliarda për financimin e mbrojtjes ukrainase dhe rritjen e donacioneve të armëve me rreze të gjatë veprimi.
Aktualisht, vendet evropiane furnizojnë Ukrainën me raketa si SCALP (franceze) dhe Storm Shadow (britanike), por në sasi të kufizuara.









