Veliaj kërkoi zbutje të masës së sigurisë, duke pretenduar se nuk ka asnjë mundësi që të prishë provat, pasi SPAK i ka mbyllur hetimet dhe ka dorëzuar dosjen në gjykatë.
Ish-kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj bëri rekurs në Gjykatën e Lartë masën e arrestit në burg të vendosur ndaj tij prej GJKKO dhe lënë në fuqi nga Apeli i Posaçëm.
Kujtojmë se më 10 shtator SPAK mbylli hetimet dhe e dërgoi për gjykim dosjen e Veliajt.
Ish-kryebashkiaku ndodhet në qelitë e paraburgimit të Durrësit që prej shkurtit të këtij viti për çështje të lidhur me korrupsion dhe abuzim me detyrën gjatë kohës së kryetar bashkie i kryeqytetit.
Së bashku me të edhe biznesmeni Elman Abule ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë për masën e arrestit shtëpiak vendosur ndaj tij me kërkesë të SPAK. Veliaj dhe Abule kërkojnë informacion dy mujor lidhur me zbatimin e masës ndaj tyre.
Sakaq, kryeministri Edi Rama në mbledhjen e sotme të Asamblesë së PS-së njoftoi edhe shkarkimin nga detyra si kryebashkiak të Tiranës të Erion Veliajt, pasi bashkia më e madhe në vend nuk ka një drejtues që prej 10 shkurtit kur Veliaj u prangos në kuadër të hetimeve për korrupsion dhe abuzim me detyrën.
Rama lajmëroi se kandidatja socialiste në zgjedhjet e parakohshme për bashkinë Tiranë, do të jetë Ogerta Manastirliu.
Dosja e Veliajt per gjykim
Prokuroria thotë se hetimet provuan marrjen e rryshfeteve nga Veliaj dhe Xoxa në 9 raste. “Në përfundim të hetimeve paraprake, ka rezultuar e provuar se të pandehurit Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa, në bashkëpunim mes tyre, në 9 raste të veçanta, kanë marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme nga subjekte tregtare dhe organizata jofitimprurëse (përmendur më sipër), të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë”, thuhet në njoftimin për shtyp. Veliaj dhe Xoxa i mohojnë akuzat.
Sipas SPAK, nga hetimi penal janë grumbulluar të dhëna konkrete “të cilat provojnë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se i pandehuri Erion Veliaj, në cilësinë e kryetarit të Bashkisë Tiranë, me nënshkrimin e tij ka miratuar në çdo rast shpërndarjen e këtyre fondeve”.
Prokuroria rendit në kërkesën për gjykim 13 akuza ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës: 9 raste të korrupsionit pasiv, si dhe akuzat për “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” në bashkëpunim, “fshehje pasurie” dhe “shpërdorim të detyrës”. Veliaj akuzohet gjithashtu se gjatë qëndrimit në qeli ka shkelur disa herë ligjin dhe se ka konsumuar elementët e veprës penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”, më shumë se një herë.
Edhe bashkëshortja e kryebashkiakut, Ajola Xoxa, akuzohet për korrupsion në të njëjtat raste ku përfshihet Veliaj, si dhe për pastrim parash, fshehje të të ardhurave dhe mosdeklarim të aseteve. Prokuroria ka evidentuar blerje online të kryera prej saj në një vlerë prej 86.7 milionë lekësh, si dhe përdorim të shumave të mëdha cash jashtë sistemit bankar për pagesa qirash, pagash dhe aktivitete private.
“Provat e grumbulluara dëshmojnë qartë për disponimin dhe qarkullimin e të hollave në cash, jashtë sistemit bankar, në shuma të konsiderueshme dhe në prerje të mëdha, nga e pandehura Ajola Xoxa, bashkëshortja e të zgjedhurit vendor, Erion Veliaj. Këto shuma, të cilat vijnë si rezultat i përfitimeve të parregullta të siguruara për shkak të funksionit të kryetarit të Bashkisë Tiranë, janë përdorur për të ushqyer ndër të tjera edhe aktivitetet private tregtare të subjekteve që kontrollohen nga bashkëshortja e këtij të fundit”, thuhet në deklaratën e SPAK.
Nën akuzë janë edhe biznesmenët apo bashkëpunëtorët e çiftit: Elman Abule, Gentian Sula, Fatmir Bektashi, Meriman Palushi, Shkëlqim Fusha, Sokol Kryeziu, Mirton Lika, Linda Kazani, Erald Simixhiu, Ina Goxhaj, Frosina Bollo, Valmir Xoxa, Adela Kondakçiu, Flutur Xhani dhe Fatjon Baci. Përveç tyre, ish-deputetja e Partisë Socialiste, Klotilda Bushka akuzohet për “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.









