Në një kohë kur Shtetet e Bashkuara po përqendrojnë trupa dhe mjete ushtarake në Karaibe, presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro, ka kërkuar ndihmë nga Rusia, Kina dhe Irani për të forcuar kapacitetet e vjetruara ushtarake të vendit të tij.
Sipas dokumenteve të brendshme të qeverisë amerikane, të siguruara nga The Washington Post, Maduro ka kërkuar sisteme radarësh, riparime avionësh dhe madje edhe raketa nga aleatët e tij strategjikë.
Në dokumente thuhet se kërkesat ndaj Moskës janë dërguar në formën e një letre drejtuar presidentit rus Vladimir Putin, e cila pritej t’i dorëzohej personalisht gjatë një vizite në Moskë nga një përfaqësues i lartë venezuelian.
Një tjetër letër, e adresuar presidentit kinez Xi Jinping, përmban kërkesën e Maduros për “zgjerimin e bashkëpunimit ushtarak” mes dy vendeve, me qëllim përballimin e “përshkallëzimit të tensioneve midis SHBA-së dhe Venezuelës”.
Në të, ai kërkon gjithashtu që kompanitë kineze të përshpejtojnë prodhimin e sistemeve të radarëve për të rritur aftësitë mbrojtëse të vendit.
Sipas dokumenteve, ministri venezuelian i Transportit, Ramón Velásquez, ka koordinuar së fundmi marrjen e pajisjeve ushtarake dhe dronëve nga Irani, gjatë përgatitjeve për një vizitë në Teheran. Ai i ka kërkuar një zyrtari iranian pajisje për “zbulim pasiv”, “ndërprerës GPS” dhe “dronë me rreze veprimi deri në 1.000 kilometra”.
Në letrën e tij, Maduro ka theksuar “agresionin amerikan në Karaibe”, duke e paraqitur veprimin e SHBA-së kundër Venezuelës si një “sulm kundër Kinës për shkak të ideologjisë së përbashkët”, thuhet në raportet amerikane.
Nuk dihet ende se si kanë reaguar Rusia, Kina dhe Irani ndaj kërkesave të presidentit venezuelian.
Ndërkohë, Moska mbetet aleati më i fortë i Maduros. Vetëm të dielën, një avion transportues rus Ilyushin Il-76, prodhuesi i të cilit është nën sanksione amerikane për përfshirje në tregtinë e armëve, mbërriti në Karakas pas një fluturimi të gjatë mbi Afrikë për të shmangur hapësirën ajrore perëndimore, sipas të dhënave të Flightradar24. Kremlini nuk ka komentuar mbi letrën e Maduros.
Vetëm një ditë më parë, Rusia ratifikoi një marrëveshje të re strategjike me Venezuelën, duke konfirmuar vazhdimin e bashkëpunimit në disa projekte të përbashkëta, përfshirë hapjen e një fabrike municionesh “Kalashnikov” në shtetin Aragua.
Moska ka gjithashtu të drejta kërkimi për rezerva të pashfrytëzuara nafte dhe gazi në Venezuelë, me vlerë potenciale prej miliarda dollarësh.
Megjithatë, vëzhguesit theksojnë se interesi dhe kapaciteti i Rusisë për ta mbështetur Madurosin është dobësuar krahasuar me vitet e kaluara, ndërsa lufta në Ukrainë dhe prioritetet e reja në Amerikën Latine kanë zbehur vëmendjen e Kremlinit ndaj Karakasit.
“Fakti që SHBA-të kanë zhvendosur mbi 10% të flotës detare në Karaibe është tashmë një fitore për Putinin,” – tha James Story, ish-ambasador i SHBA-së në Venezuelë.
“Rikthimi i vëmendjes amerikane drejt Hemisferës Perëndimore i jep Rusisë një avantazh, sepse largon fokusin nga Ukraina. Dhe kjo është diçka e mirë për Putinin.”









