GARA PER VLOREN/ KQZ nuk e regjistroi për zgjedhjet e nëntorit – Gjergj Nika ankohet në KAS: Kam respektuar të gjitha nenet e Kodit Zgjedhor 

Kandidati i pavarur për Bashkinë e Vlorës, Gjergj Nika, ka paraqitur sot një ankimin pranë Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve, kundër vendimit të KQZ-së, i cili rrëzoi kërkesën e tij për regjistrimin në zgjedhjet e pjesshme vendore të 9 nëntorit 2025.

Në ankimimin e depozituar nga përfaqësuesi ligjor, avokati Rezart Kthupi, Nika kundërshton vendimin e KQZ-së të datës 26 tetor 2025, me të cilin u vendos “mosregjistrimi” i tij si kandidat për Kryetar Bashkie në Vlorë. Sipas dokumentit, KQZ ka interpretuar gabimisht nenin 70 të Kodit Zgjedhor, duke pretenduar se mungonte regjistrimi i Komitetit Nismëtar brenda afatit ligjor.

“Ky interpretim i nenit 70 të Kodit Zgjedhor nga ana e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve është i pasaktë, pasi ligji nuk ndalon që të realizohet bashkimi i dy pikave të nenit 70 në një procedurë të vetme”, thuhet në kërkesën e depozituar nga Nika.

Sipas Nikës, ai ka dorëzuar të gjitha dokumentet e nevojshme për regjistrimin e kandidaturës së tij në përputhje me të gjitha nenet e Kodit Zgjedhor, si dhe në përputhje me afatet e përcaktuara nga Kolegji Zgjedhor.

Në përfundim të ankesës, Gjergj Nika kërkon:

Shfuqizimin e vendimit të KQZ-së të datës 26.10.2025, që refuzoi regjistrimin e tij si kandidat për Kryetar Bashkie në Vlorë;

Pranimin dhe regjistrimin e kandidaturës së tij si i propozuar nga zgjedhësit për zgjedhjet e pjesshme vendore të 9 nëntorit 2025.

Sipas ankuesit, vendimi i Komisionerit është “pasojë e interpretimit të gabuar të ligjit material dhe procedural”, ndërsa kërkon që KAS të rivlerësojë çështjen në bazë të ligjit dhe të garantojë të drejtën e tij për pjesëmarrje në zgjedhje.

Kjo kërkesë e Nikës pritet të merret në shqyrtim nga Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve pasditen e kësaj të diele, në orën 19:00.

“Shqyrtimi i Kërkesës Ankimore regjistruar me nr. 60 Regjistri, datë 26.10.2025, depozituar nga z. Gjergj Nikë Nika, kandidat për Kryetar Bashkie, i propozuar nga zgjedhësit, në zonën zgjedhore, Bashkia Vlorë, me objekt: “Kundërshtim i vendimit nr. 1437, datë 26.10.2025, “Për shqyrtimin e kërkesës për regjistrimin e z. Gjergj Nikë Nika, si kandidat për Kryetar Bashkie, i propozuar nga zgjedhësit, në zonën zgjedhore Bashkia Vlorë, në zgjedhjet e pjesshme vendore, për Kryetar Bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore të datës 9 Nëntor 2025””, thuhet në njoftimin e bërë nga KAS.