TRAFIKU I DROGES/ Pjesë e dosjes “Metamorfoza 2” – Gjykata e Lartë e Brazilit lëshon urdhërarrest për Ervin Matën

Gjykata e Lartë e Brazilit, ka lëshuar një kërkesë urdhërarresti për shtetasin shqiptar Ervin Mata, i cili është shpallur në kërkim nga SPAK-u.

Sipas mediave braziliane, urdhërarresti është miratuar pas kërkesës së Shqipërisë për ekstradimin e tij pasi akuzohet për trafikimin e 69 kg kokainë nga São Paulo në Valencia të Spanjës.

Ka qenë Ministri i Gjykatës së Lartë Federale të Brazilit, Alexandre de Moraes, i cili dekretoi urdhë arrestin e Matës.

“Dekretoni arrestimin të Ervin Matës, duke përcaktuar lëshimin e urdhërarrestit, përmbushja e të cilit duhet t’i raportohet menjëherë Gjykatës së Lartë, Ministrisë së Drejtësisë, Interpolit dhe përfaqësisë diplomatike të shtetit të interesuar”, thuhet në urdhrin e Alexandre de Moraes.

Sakaq, deri më tani Mata ende nuk është arrestuar.

Kush është Ervin Mata

Ervin Mata konsiderohet si organizator i një rrjeti të strukturuar kriminal që ka trafikuar sasi të mëdha kokaine nga Amerika Latine në Evropë, sipas SPAK-ut. 

Ai akuzohet për trafikimin e 69 kg kokainë nga São Paulo në Valencia të Spanjës. Hetimet gjithashtu e lidhin Matën me një ngarkesë prej 240 kg, që u kap në Frankfurt të Gjermanisë, në vitin 2020.

Besohet se Mata është vendosur në Brazil, ku autoritetet shqiptare e kanë lokalizuar më vonë, por ende nuk ka asnjë arrestim të tij.