SKANDAL/ Tronditet Greqia: Përgjime të paligjshme nga shërbimi sekret helen

Greqia po përballet me një nga skandalet më të mëdha të dekadës, i quajtur tashmë “Watergate-i grek”, pas zbulimeve se dhjetëra zyrtarë të lartë, gazetarë, gjyqtarë dhe ushtarakë janë përgjuar në mënyrë të paligjshme përmes softuerit spiun “Predator”.

Hetimet kanë zbuluar se përgjimet janë kryer jo vetëm nga softueri i shpërndarë nga kompania izraelite Intellexa, me bazë në Athinë, por edhe nga vetë Shërbimi Informativ Kombëtar (EYP), i cili ndodhet nën mbikëqyrjen direkte të zyrës së kryeministrit Kyriakos Mitsotakis që nga viti 2019.

Skandali shpërtheu në vitin 2022, kur eurodeputeti dhe lideri aktual i PASOK, Nikos Androulakis, u njoftua se ishte në shënjestër të një përgjimi përmes një mesazhi të infektuar me Predator. Më vonë u zbulua se ai ishte përgjuar edhe nga EYP për “arsye sigurie kombëtare”.

Sipas Autoritetit Grek për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, të paktën 87 persona janë përgjuar, nga të cilët 27 janë ndjekur paralelisht edhe nga EYP – përfshirë ministra dhe drejtues të ushtrisë.

Pavarësisht reagimeve të ashpra, asnjë zyrtar i qeverisë nuk është përballur me akuza penale. Kryeministri Mitsotakis e ka quajtur ngjarjen “skandal”, ndërsa kritikët e akuzojnë qeverinë për përpjekje për të fshehur të vërtetën.

Të mërkurën, një gjyqtar do të shqyrtojë akuzat ndaj katër të dyshuarve, dy izraelitë dhe dy grekë, për përfshirje në marketingun e softuerit spiun.

Pas zbardhjes së skandalit, kreu i EYP Panagiotis Kontoleon dhe këshilltari i ngushtë i kryeministrit, Grigoris Dimitriadis, dhanë dorëheqjen.