Kryeministri Edi Rama zhvilloi këtë të mërkurë një takim në Kryeministri me katër nënkryetarët e Bashkisë së Tiranës dhe Ogerta Manastiruliun, kandidaten e shpallur nga Partia Socialiste për bashkinë e kryeqytetit.
Mbledhja zgjati për rreth 2 orë, ndërkohë që e pranishme ishte edhe Anuela Ristani, kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës. Por, qëndrimi i saj në këtë mbledhje nuk ka qenë i gjatë, pasi burime për mediat bëjnë me dije se kryeministri i ka kërkuar që të largohet.
Mbledhja e kësaj të mërkure ka ardhur një ditë pas asaj të Këshillit Bashkiak në Bashkinë e Tiranës ku miratuan propozimin për shkarkimin e kryetarit të arrestuar të Bashkisë, Erion Veliajt.
Sakaq pritet që në orët në vijim, konkretisht në 18:00, kryeministri Edi Rama të mbledhë edhe deputetët e Tiranës dhe ministrat e kabinetit qeveritar. Takimi do të mbahet në parkun “Eden” në Kryeministri dhe fokusi kryesor i diskutimeve pritet të jetë organizimi i Partisë Socialiste për zgjedhjet e ardhshme në Bashkinë e Tiranës..
Po ashtu, këtë të mërkurë prefekti i Qarkut Tiranë pa humbur kohë i ka dërguar zyrtarisht Këshillit të Ministrave propozimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës për shkarkimin e kryebashkiakut Veliaj. Nesër pritet të zhvillohet mbledhja e qeverisë, ku parashikohet miratimi i shkarkimit.









