Lideri historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ngritur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, lidhur me një vizitë të tij në Hong Kong, të cilën Berisha e cilëson si të financuar nga një kompani me interesa në industrinë e naftës në Shqipëri.
Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se Rama ka udhëtuar me një avion special drejt Hong Kongut, ku është mbajtur një ekspozitë me vepra arti që mbajnë firmën e kryeministrit. Sipas Berishës, shpenzimet për këtë aktivitet janë mbuluar nga kompania e interesuar për koncesione në vend.
Berisha kërkoi hetim ndërkombëtar për çështjen, duke theksuar se marrëdhënia mes Ramës dhe kompanisë kineze që, sipas tij, ka financuar udhëtimin dhe ekspozitën, duhet të hetohet nga autoritetet amerikane.
“Unë i bëj thirrje FBI-së, Kongresit dhe Senatit të SHBA-së që të ndihmojnë në zbardhjen e këtij superskandali. Dosja është dorëzuar, por mbahet në sirtar,” tha Berisha.
Berisha: Në dosjen kineze Edi Rama është më i hershëm. Në vitin 2015, një aeroplan special, i veçantë, i agjencisë së zbulimit të Kinës, për aq sa vlerësohet tani CEFC, vjen në Rinas dhe merr Edi Ramën në një fluturim 13-15 orë Tiranë-Hong Kong.
Dhe, po kjo kompani, presidenti dhe kryetari i fondacionit që do dënoheshin më vonë në SHBA sepse kishin korruptuar në Afrikë politikanë, për ata që thonë se ligji amerikan nuk vepron, ligji amerikan vepron kudo që është korrupsioni.
Pra, për korruptimin e liderëve afrikanë, u arrestuan të dy në një operacion të përsosur të organizuar nga FBI, duke bajpasuar si McGonigalin, ashtu edhe burimet e tyre të tjera, dhe Dorian Duçkën.
Edi Rama, pikërisht me avion special të këtyre, të kryetarit Jang Xemin dhe Patrick Ho, ndërmerr fluturimin Tiranë-Hong Kong.
Dhe jo vetëm kaq, por kompania me interesa të thella nafte në Shqipëri, i prenoton, i paguan shpenzimet e ekspozitës së shkarravinave, të cilat, me pikturat gjoja të Edi Ramës, në sallën më prestigjioze të Hong Kongut, ku metri katror në mure për ekspozim, kushton qimet e kokës dhe aty varen shkarravinat e Edi Ramës, të cilat për nivelin artistik, siç kanë vlerësuar dy kritikë të njohur të artit të Bienales së Venecias, janë të një cilësie të shkarravinave të një adoleshenti të droguar.
Ky është vlerësimi artistik i një mediokri që nuk ka ekspozuar kurrë në jetën e tij, përveçse kur u bë kryeministër. Për të vjedhur, nuk ka njeri në botë që të ketë dorë në vjedhjen e veprave të artit, ikonave siç ka ky. Shitës ikonash të vjedhura. Po vetë, asnjë krijim. Ky është dimensioni.
Tani, Rama prapë kthehet në zyrën e tij në vitin 2017. Se çfarë koncesionesh i dha kompanisë kineze, kjo kërkon hetim ndërkombëtar.
Unë jam këtu sot për t’i bërë thirrje FBI-së, Ministrisë së Drejtësisë të SHBA, Kongresit dhe Senatit të ndihmojnë shqiptarët në hetimin e këtij superskandali, pasi Altin Troplini, ky mercenar i Edi Ramës, mban prej tre vitesh në sirtar dosjen e dorëzuar nga opozita.
Një dosje të sensivitetit të më të lartë. Një dosje, e cila mjafton të marrësh dosjen shqiptare të gjykatës së Uashingtonit dhe Edi Rama del po aq fajtor sa vetë McGonigal për ryshfetin që ka marrë dhe që ky i ka dhënë atij.
Por i ka shumë të errëta lidhjet e tij me Dorian Duçkën dhe jo vetëm Dorian Duçkën.
Thirrja ime është të hetohet. PD disponon fakte dhe të dhëna absolutisht me interes të padiskutueshëm në këtë proces hetimi dhe mund të japë një kontribut të çmuar.
Por, njeriu që po bllokon hetimin është Altin Troplini. Është një dhe vetëm një, Altin Troplini, i cili ka hapur gjoja çështjen, por çështjen e ka hapur pa thirrur kurrë Edi Ramën, pra pa emër, siç ka hapur çështje për Irena Gjokën. Pra, në të dy rastet për të mbrojtur.









