ZBULOHET SKANDALI/ “The Guardian”: UEFA u dha mbi 10.8 milionë euro ekipeve ruse të futbollit si “ndihmë solidariteti” pas pushtimit, ndërsa klubet ukrainase mbetën pa fonde

UEFA ka transferuar mbi 10.8 milionë euro për klubet ruse të futbollit si ndihmë “solidariteti”, që prej kohës kur atyre iu ndalua pjesëmarrja në garat evropiane pas pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022, raporton The Guardian.

Këto pagesa janë bërë pavarësisht ndalimit zyrtar të pjesëmarrjes së ekipeve ruse në kompeticionet ndërkombëtare dhe në një kohë kur pesë klube ukrainase nuk kanë marrë fonde të ngjashme, me arsyetimin se ndodhen në “zonë lufte”.

Sipas UEFA-s, fondet e “solidaritetit” u jepen zakonisht klubeve që nuk arrijnë të marrin pjesë në garat evropiane, me qëllim që të ruhet baraspesha konkurruese dhe të kompensohen të ardhurat e munguara.

Gjithsesi, për sezonin 2022-23, UEFA i ka transferuar 3.305.000 euro Federatës Ruse të Futbollit, 3.381.000 euro për sezonin 2023-24 dhe 4.224.000 euro për sezonin 2024-25. Për vitin 2021-22 u dhanë gjithashtu 6.209.000 euro. Federata ruse ka detyrimin t’ua shpërndajë këto para klubeve.

Pesë klube ukrainase – Chornomorets dhe Real Pharma nga Odesa, IFC Metalurg nga Zaporizhia, FSC Phoenix Mariupol nga Mariupol dhe FC Metalist 1925 nga Kharkivi – i kanë dërguar më 27 korrik një letër proteste presidentit të UEFA-s, Aleksander Ceferin, për të shprehur pakënaqësinë e tyre mbi ndalimin e pagesave për sezonet 2023-24 dhe 2024-25.

Sipas tyre, vonesat justifikohen me arsyetimin e pasigurisë për shkak të vendndodhjes së tyre në “zonë lufte”. Por në letrën e tyre thuhet:

“Nuk kemi marrë asnjë shpjegim të qartë apo justifikim ligjor për këtë. Përdorimi i termit ‘zonë e operacioneve ushtarake’ është i paqartë dhe nuk përputhet me realitetin. E gjithë Ukraina është nën agresion ushtarak – nuk mund të flitet për ndarje gjeografike të rrezikut.”

Klubet nënvizojnë gjithashtu se qytete si Odesa dhe Kharkivi, ndryshe nga Mariupoli apo Zaporizhia, nuk janë nën pushtim rus, prandaj nuk duhet të përjashtohen nga ndihma financiare.

Zbulimi i këtyre pagesave ka ringjallur shqetësimet për marrëdhënien e UEFA-s me Rusinë, e cila vazhdon të ketë përfaqësim të plotë në strukturat e organizatës, ndonëse klubet dhe përfaqësueset e saj janë të përjashtuara nga garat.

Për më tepër, Polina Yumasheva, ish-bashkëshortja e oligarkut të afërt me Kremlinin Oleg Deripaska, është anëtare e Komitetit të Qeverisjes dhe Përputhshmërisë së UEFA-s. Ajo është gjithashtu vajza e një ish-këshilltari të presidentit Putin.

UEFA ka qenë në qendër të polemikave edhe më herët për qëndrimin ndaj Rusisë. Në shtator 2022, trajneri i kombëtares ukrainase, Oleksandr Petrakov, u ndëshkua me gjobë pasi deklaroi për Guardian se do të luftonte vetë kundër Rusisë. Po ashtu, tentativa për të rikthyer ekipin U-17 të Rusisë në futbollin ndërkombëtar në vitin 2023 dështoi pas kritikave të ashpra nga 12 federata, përfshirë atë angleze.

Në një tjetër letër dërguar UEFA-s në mars, Federata Ukrainase e Futbollit kritikoi faktin që Rusia vazhdon të grumbullojë pikë renditjeje në UEFA, ndonëse është nën sanksione. Këto pikë ndikojnë në numrin e ekipeve që një vend mund të dërgojë në garat evropiane si Liga e Kampionëve.

Këto zhvillime i kanë hapur rrugë akuzave për hipokrizi dhe mungesë transparence brenda UEFA-s, në një kohë kur klubet ukrainase përballen me kushte të jashtëzakonshme për shkak të agresionit rus.