Tirana është pranë zyrtarizimit të përforcimit më të fundit për sezonin e ri. Bardheblutë do të sjellin në kryeqytet një sulmues krahu, që pritet të rrisë cilësinë dhe shpejtësinë në repartin ofensiv. Ky transferim shihet si një element i rëndësishëm për lojën sulmuese të skuadrës, duke i dhënë trajnerit më shumë alternativa për të befasuar kundërshtarët.
Pas përfundimit të fazës përgatitore në Greqi, ku skuadra zhvilloi një sërë miqësoresh dhe u fokusua te aspekti fizik e taktik, të hënën pasdite Tirana do të nisë stërvitjen në kryeqytet. Seancat në “Skënder Halili” do të shërbejnë për të integruar më shpejt afrimet e reja dhe për të përsosur automatizmat e lojës para nisjes së kampionatit. Stafi teknik ka mbetur i kënaqur me punën e bërë në Greqi, ku ekipi tregoi përmirësime të dukshme në mbrojtje dhe në qarkullimin e topit.
Megjithatë, drejtuesit janë të vetëdijshëm se për të qenë plotësisht gati, skuadra ka nevojë edhe për më shumë forcë në fazën sulmuese, ndaj afrimi i një lojtari të krahut shihet si një hap vendimtar. Merkatoja e bardhebluve pritet të mbyllet shpejt, me synimin që grupi të jetë i plotë para startit të sezonit. Tirana do të ketë një fillim të vështirë në kampionat, por ambicia e klubit është e qartë.
Të luftojë për kreun dhe të bëjë një paraqitje dinjitoze. Tifozët bardheblu tashmë presin me padurim prezantimin e afrimit të ri dhe rikthimin e skuadrës në fushë, me shpresën që ky sezon të sjellë trofe të tjerë në kryeqytet.









