Një shumicë prej 58 për qind e amerikanëve besojnë se secili shtet anëtar i Kombeve të Bashkuara duhet ta njohë Palestinën si shtet, sipas një sondazhi të ri nga “Reuters” dhe “Ipsos”, përderisa Izraeli e Hamasi po e shqyrtojnë mundësinë për armëpushim në luftën gati dyvjeçare.
Rreth 33 për qind e pjesëmarrësve në sondazh nuk menduan se shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara duhet të njohin një shtet palestinez, ndërsa 9 për qind nuk u përgjigjën, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Sondazhi i zhvilluar për gjashtë ditë dhe i mbyllur të hënën u krye pak javë pasi tri shtete, aleate të ngushta të Uashingtonit – Kanadaja, Franca dhe Britania – njoftuan se do ta njohin shtetin palestinez.
Këto paralajmërime e shtuan presionin ndaj Izraelit në kohën e përhapjes së urisë në Gaza.
Dy zyrtarë thanë të martën se Izraeli është duke e analizuar përgjigjen e Hamasit ndaj një pakti të mundshëm për armëpushim 60-ditor dhe për lirimin e gjysmës së pengjeve izraelite që po mbahen akoma në Gaza.
Një shumicë më e madhe në sondazhin e “Reuters”-it dhe “Ipsos”-it, 65 për qind, thanë se Shtetet e Bashkuara duhet të ndërmarrin veprime në Gaza për t’i ndihmuar njerëzit që po ballafaqohen me uri, ndërsa 28 për qind nuk u pajtuan me këtë qëndrim.
Në mesin e pjesëmarrësve që nuk u pajtuan përfshihen 41 për qind e përkrahësve republikanë të presidentit amerikan, Donald Trump.
Sipas këtij sondazhi, 59 për qind e amerikanëve besojnë se kundërpërgjigjja ushtarake e Izraelit ka qenë e tepruar. 33 për qind nuk u pajtuan me këtë vlerësim.
Në një sondazh të ngjashëm të kryer në shkurtin e vitit të kaluar, 53 për qind e pjesëmarrësve mendonin se kundërpërgjigjja e Izraelit kishte qenë e tepruar, ndërsa 42 për qind nuk ishin pajtuar me këtë.









