PRANGOSJA/ Do të udhëtonte drejt Italisë – arrestohet 25-vjeçari i shpallur në kërkim ndërkombëtar; i dënuar në Zvicër për dy vepra penale (EMRI)

Një 25-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar është vënë në pranga teksa po tentonte të largohej nga Shqipëria drejt Italisë. I riu mësohet se është dënuar në Zvicër me 27 muaj për dy vepra penale. 

Sipas njoftimit të policisë ai është i dënuar në janar të këtij viti për veprat penale “Vjedhja” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”. I riu është identifikuar si Mërgim Bruti. Interpol Tirana po punon me homologët në Zvicër për ta ekstraduar të riun.

Njoftim i Policisë:

Shërbimet e Policisë Kufitare në Portin e Durrësit, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore se një shtetas në kërkim ndërkombëtar do të udhëtonte drejt Italisë, kanë intensifikuar kontrollet për kapjen e tij.

Si rezultat, u kap në tentativë për të dalë nga Shqipëria dhe u arrestua me qëllim ekstradimin, shtetasi M. B., 25 vjeç, banues në Itali.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Bern, pasi Gjykata e Luzern, Zvicër, me vendimin e datës 08.01.2025, e ka dënuar me 27 muaj burgim, për veprat penale “Vjedhja” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”. Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me homologët në Zvicër, për ta ekstraduar këtë shtetas.